Gazetare: Melihate Rustemi

Maqedonia e Veriut shpenzon 25 milionë euro në vit për dializë, ndërsa transplantimet mbeten në nivele minimale. Sipas drejtuesve të Shëndetësisë dhe Klinikës së Nefrologjisë, vetëm 14% e pacientëve në vend arrijnë deri te transplantimi, që është katër herë më pak se në Evropë. Mjekët thonë se shkaku i transplantimit në nivele të tilla është vetëdija e ulët publike për dhurimin e organeve në vend, veçanërisht për transplantimin nga persona të vdekur.

“Shuma që shpenzohet për hemodializë është e pakrahasueshme. Në vitin e parë, kostoja për një pacient në hemodializë dhe një në transplantim veshkash është e njëjtë, por në vitet në vijim, kur kemi rehabilitim të plotë të pacientit të transplantuar, kostoja ulet për tre deri në katër herë. Nëse në Maqedoni do të kishte 10 apo 20 transplantime kadaverike në vit, ne jemi të gatshëm t’i bëjmë,” deklaroi Nikolla Gjorgjievski, drejtor I Klinikës së Nefrologjisë.

Nga Klinika e Nefrologjisë bëjnë të ditur se aktualisht 160 pacientë presin për transplantim të veshkave, ndërsa më pak se 100 prej tyre janë aktivë në listën e pritjes.

“Është për të ardhur keq kur përgatiteni për disa ditë për të transplantuar, të gjitha ekipet janë gati, dhe në fund familja nuk jep pëlqimin. I bëjmë thirrje secilit të mendojë për veten, të bisedojë me familjen e tij dhe të shprehë qëndrimin për dhurimin e organeve pas vdekjes. Nuk ka asgjë më fisnike sesa të shpëtosh një jetë njerëzore në momentin kur një jetë tjetër shuhet. Një donator mund të shpëtojë tetë jetë,” tha Biljana Kuzmanovska, mjeke.

Aktualisht në vend rreth 1.500 pacientë janë në hemodializë kronike, rreth 300 jetojnë me veshkë të transplantuar dhe 20 pacientë trajtohen me dializë peritoneale. Në Ditën Botërore të Veshkave, mjekët apelojnë dhe kujtojnë se transplantimi nuk është vetëm procedurë mjekësore, por një akt fisnik që kursen miliona euro dhe shpëton jetë. Deri në fund të prillit, Kuvendi pritet të votojë ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me transplantimin ku si risi parashihet Kartela e Dhuruesit. Kjo nënkupton se vullneti i individit do të jetë vendimtar, duke i hequr familjes të drejtën për të bllokuar dhurimin pas vdekjes. /alsat.mk

The post Transplantimi i organeve te ne mbetet në nivele të ulëta, mbi 160 pacientë presin transplantimin e veshkës appeared first on Alsat.