Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, pas zhvillimit të hetimeve, ka paraqitur aktakuzë ndaj tre personave, të cilët në bashkëpunim janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e rëndë nga objekte të instalimeve publike që kanë rëndësi të veçantë për sigurinë e njerëzve dhe të pasurisë”, në përputhje me nenin 236 paragrafi 4 lidhur me paragrafi 1 pika 1 të Kodit Penal.

Të akuzuarit, së bashku me persona të tjerë që ende nuk janë identifikuar, në periudhën nga marsi deri në fillim të majit të këtij viti, nga rrethi i fabrikës “Hekuranë” në Shkup, konkretisht nga objekti i “Polukonti–IGM” dhe nga tunelët nëntokësorë ku kalojnë kabllo energjetike, kanë marrë disa kilometra kabllo të tensionit të lartë dhe mesatar në pronësi të AD ESM – Elektranat e RMV-së, Njësia Energjetika Shkup, dhe Makstil AD Shkup, me vlerë të përgjithshme rreth 440 mijë euro.

“Në disa raste, të akuzuarit kanë hyrë në tunelët nëntokësorë përmes hapjeve me shkallë nga reparti i “Polukonti–IGM”, dhe pasi siguroheshin me pajisje se kabllot nuk ishin nën tension, i prisnin ato me një makinë prerëse (brusalicë) dhe i grumbullonin pranë hyrjes së tunelëve.
Si pasojë e veprimeve të tyre, më 9 prill ka shpërthyer zjarr në nënstacionin elektrik TS Jug, duke shkaktuar dëme shtesë në instalimet publike. Për riparimin e dëmeve kanë qenë të nevojshme më shumë se 100 mijë euro, ndërsa për shkak të ndërprerjes së prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, është shkaktuar dëm shtesë prej rreth 60 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë

Më 6 maj, të tre të akuzuarit kanë ardhur sërish me një automjet Volkswagen Golf për të përgatitur kabllot për transport. Gjatë manipulimit me një kabllo, njëri prej tyre është lënduar, pas së cilës të tre kanë shkuar në Qendrën Urgjente “Nëna Terezë”, ku i plagosuri ka marrë trajtim mjekësor.
Pas kësaj, ata janë kthyer përsëri në objekt për të marrë mjetet që kishin lënë, por janë kapur dhe arrestuar menjëherë pas daljes nga rrethi i “Hekuranës”.

Prokurori publik ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit një kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit për të tre të akuzuarit, pasi ekziston ende rreziku i arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarët dhe mundësia e përsëritjes së veprës penale, që ishin edhe arsyet fillestare për caktimin e kësaj mase./TV21