Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov, në emisionin “Biznes21” në TV21, deklaroi se debati për pagën minimale prej 500 eurosh është tashmë i tejkaluar dhe se është e domosdoshme të hapet një diskutim serioz për një nivel prej 600 deri në 700 euro.

“Po luftojmë për rritjen e pagës minimale dhe shoh se ekziston një disponim i caktuar për këtë. Si LSM, këtë e kemi bërë që nga fillimi i vitit dhe jemi të gatshëm edhe për protesta dhe greva. Gjatë periudhës së kaluar kemi dashur të sigurojmë të dhëna relevante dhe të argumentuara, pasi jemi përballur me akuza”, deklaroi Trendafilov.

Ai shtoi se analizat me të cilat disponon LSM janë në favor të punëtorëve, por njëkohësisht, siç theksoi, janë alarmuese dhe tregojnë qartë nevojën për një përmirësim urgjent të të ardhurave.