Gjykata në Zvicër ka dënuar me burgim të përjetshëm Mark Ribenin (41), bashkëshortin e ish-misës Kristina Joksimoviq (38), për vrasjen brutale dhe copëtimin e trupit të saj, raportojnë mediat zvicerane.

Vendimi vjen dy vite pasi Riben e mbyti gruan e tij në shtëpinë e tyre në Zvicër, më pas e copëtoi trupin dhe tentoi të zhdukte gjurmët e krimit në mënyrë makabre, duke përdorur edhe blender.

Sipas gazetës “Basler Zeitung”, lirimi me kusht nuk do të merret në shqyrtim pa kaluar të paktën 15 vite burg.

Familjarët e viktimës, të pranishëm në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së aktgjykimit, shprehën lehtësim pas vendimit të gjykatës. Fëmijët e Kristinës do të përfitojnë nga 100 mijë franga zvicerane dëmshpërblim, po aq edhe nëna e saj. Babai i viktimës, i cili kishte gjetur trupin e së bijës në shkurt të vitit 2024, do të marrë 120 mijë franga, ndërsa motra e Kristinës 60 mijë franga.

Prokurorja Eveli Kern e cilësoi rastin si një nga “rastet më të tmerrshme dhe më tronditëse të femicidit në Zvicër”.

Sipas mediave zvicerane, i dënuari e dëgjoi aktgjykimin pa shfaqur emocione apo pendesë. Dënimet me burgim të përjetshëm janë të rralla në Zvicër dhe para këtij rasti një vendim i tillë ishte shqiptuar ndaj një vrasësi serial në vitin 2018.

Gjatë procesit gjyqësor, Mark Ribeni pretendoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje, duke thënë se bashkëshortja e kishte sulmuar me thikë pas një debati për divorcin e tyre. Megjithatë, ekspertiza mjeko-ligjore nuk i mbështeti pretendimet e tij.

Prokuroria e akuzoi atë për mbytje të qëllimshme të nënës së dy fëmijëve të tij dhe më pas për copëtimin e trupit me qëllim fshehjen e provave.

Sipas hetimeve, pjesë të trupit ishin prerë dhe tretur në substanca kimike. Mediat raportuan gjithashtu se gjatë hetimeve kishte indikacione konkrete për probleme mendore te autori i krimit.

Autopsia zbuloi se viktima kishte pësuar trauma nga goditje me sende të forta, prerje në fytyrë dhe mavijosje të shumta në këmbë dhe në pjesën e pasme të kokës.

Mark Ribeni vjen nga një familje e pasur dhe në fillim të gjykimit kishte tentuar të shprehte pendesë duke ofruar 100 mijë franga për familjarët e viktimës.