Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka anuluar takimin e planifikuar me presidentin rus Vladimir Putin.

“Thjesht nuk më dukej e drejtë. Nuk ndjeva se do të arrinim aty ku duhet, prandaj e anulova. Por, takimi do të mbahet në të ardhmen”, tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, transmeton DPA.

I pyetur nëse mendon se presidenti rus dëshiron t’i japë fund luftës aktuale në Ukrainë, Trump u përgjigj: “Po.”

“Mendoj se ata duan paqe. Mendoj se të dyja vendet duan paqe në këtë moment. Kanë kaluar, e dini, pothuajse katër vjet. Po hyjmë në vitin e katërt. Dhe po të isha unë president, ajo luftë kurrë nuk do të kishte filluar. Por po, është koha”, deklaroi lideri amerikan.

Trump pranoi gjithashtu zhgënjimin e tij me ritmin e ngadalshëm të negociatave me Rusinë për t’i dhënë fund luftës.

“E vetmja gjë që mund të them me sinqeritet është se sa herë që flas me Vladimir Putinin, bisedat janë të mira, por pastaj nuk çojnë askund. Thjesht nuk përfundojnë me rezultate konkrete”, shtoi ai.

Javën e kaluar, Trump kishte njoftuar se planifikonte të takohej me presidentin rus në Budapest, Hungari, pas një bisede telefonike të gjatë, të cilën ai e përshkroi si “shumë produktive”.

Megjithatë, një zyrtar i administratës amerikane tha të martën se “nuk ka plane” për një takim të afërt midis dy liderëve.