Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar vendosjen e 2,000 ushtarëve të Gardës Kombëtare në Los Angeles, si përgjigje ndaj protestave të dhunshme që kanë shpërthyer ndaj emigrantëve të pa ligjshëm.

Zhvillimet e fundit vijnë pas përleshjeve midis banorëve të lagjes Paramount, kryesisht me origjinë latino-amerikane, dhe agjentëve të Imigracionit dhe Doganave (ICE), ku janë përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinj për shpërndarjen e turmave.

Administrata Trump e ka cilësuar ndërhyrjen si të domosdoshme për “të ndalur pushtimin e kriminelëve të paligjshëm” në vend. Një njoftim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë thekson se vendimi për dërgimin e Gardës Kombëtare u mor pas dhunës ndaj agjentëve federalë dhe paaftësisë së autoriteteve lokale për të ruajtur rendin.

Duke folur nga Los Angeles, Tom Homan, i dërguari i Trump për sigurinë kufitare, paralajmëroi se do të ketë “tolerancë zero” për çdo akt dhune apo dëmtim të pronës.

Masat e ndërmarra janë kritikuar ashpër nga autoritetet lokale dhe zyrtarë të Kalifornisë. Guvernatori Gavin Newsom i cilësoi bastisjet si “mizore” dhe e akuzoi administratën Trump për “nxitje të qëllimshme të tensioneve”. Kryetarja e bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass, tha se ICE po “mbjell terror” në qytet.

Nga ana tjetër, zyrtarë të FBI-së dhe të Departamentit të Sigurisë Kombëtare kanë mbështetur operacionet, duke theksuar nevojën për mbrojtje të ligjit dhe rendit. Në një postim në platformën X, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth tha se Garda Kombëtare është “mobilizuar menjëherë” dhe paralajmëroi se, nëse dhuna vazhdon, edhe trupa të marinsave do të jenë të gatshëm për ndërhyrje.