I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner pritet që së shpejti të shkojnë në Moskë për të takuar presidentin rus Vladimir Putin.

Sipas raportimeve të Bloomberg, duke cituar burime të njohura me çështjen theksohet se ky takim mund të mbahet përgjatë këtij muaji por ende nuk është finalizuar plotësisht dhe orari i takimit mund të shtyhet për shkak të ngjarjeve në Iran, vend i cili prej dy javësh ndodhet nën trazira.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se aktualisht nuk ka planifikuar asnjë takim të tillë. Kremlini nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Nuk dihet ende sa i interesuar është Putin për këtë takim të dytë me zyrtarët amerikanë.

Bisedimet pritet të fokusohen në garancitë e sigurisë që SHBA dhe Evropa do t’i ofrojnë Ukrainës për të siguruar respektimin e çdo marrëveshjeje paqeje, si dhe në rindërtimin e vendit pas luftës.

Kjo vjen pas një vizitës së mëparshme të Witkoff dhe Kushner në Moskë në dhjetor 2025, ku bisedimet me Putin zgjatën gati pesë orë, por nuk sollën ndonjë përparim të madh.

Witkoff ka takuar Putinin disa herë gjatë vitit të kaluar si pjesë e përpjekjeve të Trumpit për të ndërmjetësuar fundin e luftës në Ukrainë.