Nga Katari, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara po i afrohen shumë një marrëveshjeje bërthamore me Iranin dhe se Teherani pritet të pranojë kushtet.

“Irani në një farë mënyre ka rënë dakord me kushtet. Jemi në negociata shumë serioze me Iranin për paqe afatgjatë. Po i afrohemi ndoshta arritjes së një marrëveshjeje. Ka dy hapa për ta bërë këtë, një hap shumë, shumë të mirë dhe një hap të dhunshëm, por nuk dua ta bëj në mënyrën e dytë”, tha Presidenti Trump.

Një burim i njohur nga Irani me dijeni për negociatat bën me dije se ka ende pengesa për të kapërcyer në bisedimet me Shtetet e Bashkuara. Po ashtu mediat ndërkombëtare shkruajnë se pala iraniane mund të arrijë dakordësi për një marrëveshje me SHBA-në në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Ali Shamkhani, një këshilltar politik i Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se Irani do të angazhohet të mos prodhojë kurrë armë bërthamore, të heqë rezervat e tij të uraniumit, por të bjerë dakord të pasurojë uraniumin vetëm në nivelet më të ulëta të nevojshme për përdorim civil dhe të lejojë inspektorët ndërkombëtarë të mbikëqyrin procesin, raporton NBC.

Gjatë turit në Lindjen e Mesme, Presidenti Donald Trump i kërkoi Katarit të përdorë ndikimin e tij mbi Iranin për të bindur udhëheqjen e vendit të arrijë një marrëveshje me SHBA-në për programin bërthamor.

Tryeza e fundit midis negociatorëve iranianë dhe amerikanë për të zgjidhur mosmarrëveshjet ishte të dielën në Oman dhe pritet të organizohen negociata të ardhshme.