Presidenti amerikan, Donald Trump dëshiron që Washington Commanders ta vendosin emrin e tij në stadiumin e tyre të ardhshëm. Një burim nga Shtëpia e Bardhë i tha ESPN se Trump ia ka shprehur dëshirat e tij grupit të pronarëve të ekipit të NFL-së, të udhëhequr nga Josh Harris.

“Është ajo që dëshiron presidenti dhe ndoshta do të ndodhë”, tha burimi.

Trumpi është i njohur me vendosjen e emrit të tij në ndërtesa, hotele, kazino dhe fusha golfi si zhvillues i pasurive të paluajtshme, përveç shitjes së artikujve të markës Trump, duke filluar nga atletet te Biblat.

“Ky do të ishte një emër i bukur, pasi ishte Presidenti Trump ai që e bëri të mundur rindërtimin e stadiumit të ri”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt për ESPN.

Stadiumi i planifikuar me kupolë prej 3.7 miliardë dollarësh do të ndërtohet në Uashington DC në ish-vendin e stadiumit RFK, shtëpia e ekipit të atëhershëm Washington Redskins nga viti 1961 deri në vitin 1996. Stadiumi me 65,000 vende parashikohet të hapet në vitin 2030.