Presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje Kubës “që të arrijë një marrëveshje” ose në të kundërtën do të përballet me pasoja – të cilat nuk i specifikoi – duke paralajmëruar se dërgesat me naftë venezuelase dhe paratë për në Havana do të ndalen.

“NUK DO TË KETË MË NAFTË OSE PARA QË DO TË SHKOJNË NË KUBË – ZERO”, shkroi Trump në Truth Social. “Ju sugjeroj që të arrini një marrëveshje PARA SE TË JETË SHUMË VONË”.

Kjo deklaratë vjen një javë pasi forcat amerikane kapën liderin e rrëzuar venezuelas, Nikolas Maduro, në një operacion të kryer në Karakas, që la të vrarë dhjetëra pjesëtarë venezuelas dhe kubanë të sigurisë.

Më herët gjatë 11 janarit, Trump shpërndau një mesazh që sugjeronte se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mund të bëhej president i Kubës, që aktualisht është nën sundim komunist.

Trump e shpërndau këtë postim me mbishkrimin: “Më tingëllon mirë”.

Ndërkaq në një postim të mëvonshëm, Trump tha se “Kuba ka jetuar për shumë vjet nga sasi të mëdha të NAFTËS dhe PARAVE nga Venezuela. Në këmbim, Kuba ka ofruar shërbime të sigurisë për dy diktatorët e fundit të Venezuelës, POR JO MË!”.

“Shumica e atyre kubanëve janë të VDEKUR nga sulmi i SHBA-së i javës së kaluar dhe Venezuela nuk ka më nevojë për mbrojtje nga banditët dhe zhvatësit që i kanë mbajtur peng për kaq shumë vite”.

Nën embargon tregtare të SHBA-së, Havana që nga viti 2000 është mbështetur gjithnjë e më shumë në naftën venezuelase, të siguruar në kuadër të një marrëveshjeje të arritur me paraardhësin e Maduros, Hugo Chavez.

Ditë më parë, Trump ka njoftuar se Venezuela do të eksportojë naftë të papërpunuar në vlerë deri në 2 miliardë dollarë në SHBA, pasi Karakasi dhe Uashingtoni arritën marrëveshje për këtë.

Kjo marrëveshje është shenjë e fuqishme se Qeveria e Venezuelës po i përgjigjet kërkesës së Trumpit për t’i hapur dyert për kompanitë amerikane të naftës, nëse nuk dëshiron të përballet me rrezikun e një ndërhyrjeje të mëtejshme ushtarake.

Trump ka deklaruar se dëshiron që presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, t’i japë SHBA-së dhe kompanive private “qasje të plotë” në industrinë e naftës së Venezuelës.