Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se misioni ushtarak në Iran do të përfundojë “shumë shpejt”, se deri tani janë arritur “fitore bindëse” dhe se SHBA do të sulmojë “jashtëzakonisht fuqishëm” Iranin gjatë dy-tre javëve të ardhshme.
Trump, në fjalimin e tij për kombet nga Shtëpia e Bardhë, tha se SHBA do të shkatërrojnë të gjitha centralet iraniane dhe do të godasin rafineritë e naftës nëse nuk arrihet një marrëveshje me udhëheqësit iranianë.
“Që nga fillimi i operacionit ‘Tërbimi Epik’, kam bërë të qartë se do të vazhdojmë derisa të realizohen plotësisht qëllimet tona. Falë përparimit që kemi arritur mbrëmë, mund të them se jemi në rrugën e duhur për të arritur të gjitha objektivat ushtarake amerikane shumë shpejt. Do të godasim jashtëzakonisht fuqishëm në dy-tre javët e ardhshme. Do t’i rikthejmë në epokën e gurit, aty ku u takon”, tha Trump.
Ai kujtoi se luftërat e mëparshme – Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore, Lufta e Koresë, Lufta e Vietnamit dhe Lufta në Irak – kanë zgjatur vite me radhë, ndërsa kjo operacion ai pret të përfundojë shpejt.
“Në këtë operacion ushtarak, kaq i fuqishëm dhe kaq brilant, jemi kundër një prej vendeve më të fuqishme për 32 ditë dhe vendi është shkatërruar. Ndërkohë, bisedimet janë në zhvillim. Ndryshimi i regjimit nuk ka qenë qëllimi ynë. Asnjëherë nuk kemi thënë ndryshim regjimi. Por ndryshimi ndodhi për shkak të vdekjes së të gjithë udhëheqësve të tyre origjinalë. Të gjithë janë të vdekur. Grupi i ri është më pak radikal dhe shumë më i arsyeshëm”, vlerësoi Trump.
Ai theksoi se SHBA, nëse “nuk arrihet një marrëveshje, do të fokusohen në objektivat kryesore” dhe ushtria amerikane mund “shumë fuqishëm dhe ndoshta njëkohësisht të godasë çdo central të tyre”. Trump kërcënoi se në rast të mungesës së marrëveshjes, do të goditen rafineritë iraniane të naftës.
“Gjatë katër javëve të fundit, forcat tona të armatosura kanë arritur fitore të shpejta, vendimtare dhe bindëse në fushën e betejës. Fitore që pak kush i ka parë ndonjëherë. Asnjëherë në historinë e luftërave, armiku nuk ka pësuar humbje kaq të qarta dhe shkatërruese për vetëm disa javë. Armiqtë tanë po humbasin, dhe Amerika, si gjatë presidencës sime pesë vjeçare, po fiton, dhe tani fiton më shumë se kurrë më parë”, tha Trump.
Ai shtoi se marina iraniane është shkatërruar dhe se kapaciteti i vendit për të nisur raketa dhe dronë është “dramatikisht reduktuar”, si dhe se “qëllimet strategjike kyçe” të luftës janë “afër përfundimit”. Trump nderoi 13 ushtarët amerikanë që humbën jetën në përplasjen me Iranin në Lindjen e Mesme.
“Ata dhanë jetën e tyre për të parandaluar që fëmijët tanë të përballen ndonjëherë me një Iran bërthamor. Ne i përshëndesim dhe tani duhet t’u japim nder duke përmbushur misionin për të cilin dhanë jetën”, tha Trump.
Presidenti amerikan tha se pa këtë ndërhyrje në Iran, “regjimi më i dhunshëm dhe më i egër në botë do të ishte i lirë të zhvillonte fushatat e tij të terrorit, dhunës, pushtimit dhe vrasjeve masive nën mburojën bërthamore”.
Trump shtoi se “as Lindja e Mesme, as Izraeli nuk do të ekzistonin tani” po të mos kishte thyer marrëveshjen bërthamore me Iranin nga administrata e mëparshme e presidentit Barack Obama, duke shtuar se Irani ishte “në prag të krijimit të armëve bërthamore” dhe paraqiste një kërcënim ekzistencial për SHBA dhe “botën e lirë”.
Ai tha gjithashtu se zyrtarët iranianë po grumbullonin “rezerva të mëdha të raketave balistike konvencionale” dhe do të kishin raketa që mund të arrijnë SHBA, Evropën dhe “praktikisht çdo vend tjetër në botë”. Trump fajësoi Iranin për çmimet e larta të gazit dhe tha se vendet e tjera duhet të “marrin nën kontroll” Stramën e Hormuzit.
“Shumë amerikanë janë të shqetësuar për rritjen e fundit të çmimit të karburantit brenda vendit. Kjo rritje afatshkurtër është plotësisht rezultat i sulmeve terroriste të regjimit iranian ndaj tankerëve komercialë të naftës dhe vendeve fqinje që nuk kanë lidhje me përplasjen,” theksoi Trump.
Ai shtoi se vendet që varen shumë nga Ngushtica e Hormuzit, rruga kryesore e naftës që Irani e ka bllokuar që nga fillimi i përplasjes, “duhet të kujdesen për kalimin” dhe të “shkojnë në Ngushticë dhe thjesht ta marrin nën kontroll”.
Trump u sugjeroi vendeve që nuk mund të blejnë karburant të mjaftueshëm për shkak të mbylljes së Hormuzit që ta blejnë nga SHBA. Sipas tij, kur përplasja të përfundojë, “ngushtica natyrisht do të hapet”.
Në fjalimin e tij të parë për kombet që nga fillimi i luftës në Iran më 28 shkurt, Trump sinjalizoi se dëshiron ta përfundojë shpejt luftën dhe shprehu optimizëm për bisedimet indirekte ndërmjet SHBA dhe Iranit që kanë ndodhur ditët e fundit.
