Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se bota do të zbulojë “gjatë 10 ditëve të ardhshme, ndoshta” nëse SHBA-të do të arrijnë një marrëveshje me Iranin apo do të ndërmarrin veprime ushtarake.

Në takimin e parë të Bordit të tij të Paqes në Uashington, Trump tha: “Ne duhet të bëjmë një marrëveshje kuptimplotë, përndryshe ndodhin gjëra të këqija”.

Ditët e fundit, SHBA-të kanë shtuar forcat ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa u raportua përparim në bisedimet midis negociatorëve amerikanë dhe iranianë në Zvicër.

Qeveria iraniane i ka thënë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së se do t’i konsiderojë bazat amerikane në rajon si objektiva legjitime nëse përdoren në ndonjë agresion ushtarak kundër Iranit.

Misioni i Teheranit në OKB tha në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, se retorika e Trumpit sinjalizonte një rrezik real të një sulmi, por tha se Irani nuk donte luftë.

Bëhet e ditur se ligjvënësit demokratë dhe disa republikanë kanë shprehur kundërshtim ndaj çdo veprimi të mundshëm ushtarak në Iran pa miratimin e Kongresit.

Në fjalën e tij, Trump vuri në dukje se të dërguarit specialë Steve Witkoff dhe Jared Kushner patën “disa takime shumë të mira” me Iranin.

“Me kalimin e viteve, është vërtetuar se nuk është e lehtë të bësh një marrëveshje kuptimplotë me Iranin”, tha ai.

“Përndryshe ndodhin gjëra të këqija”, shtoi presidenti amerikan.

The post Trump mbi tensionet me Iranin: Bota ka 10 ditë kohë për të parë appeared first on Alsat.