Presidenti amerikan, Donald Trump, ka emëruar Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair në një “bord paqeje” për Gazën, të krijuar rishtazi, një organ që ai pretendon se do të drejtojë fazën e ardhshme të rindërtimit dhe qeverisjes në territorin e shkatërruar nga lufta.
Shtëpia e Bardhë tha se “bordi ekzekutiv themelues”, me shtatë anëtarë, do të përfshijë gjithashtu të dërguarin special të Trumpit, Steve Ëitkoff; presidentin e Bankës Botërore, Ajay Banga; dhe dhëndrin e presidentit dhe këshilltarin e tij afatgjatë, Jared Kushner. Vetë Trump do të shërbejë si kryetar i bordit, ndërsa emërime të tjera priten në javët në vijim.
“Çdo anëtar i bordit ekzekutiv do të mbikëqyrë një portofol të përcaktuar, kritik për stabilizimin e Gazës dhe suksesin e saj afatgjatë, përfshirë, por pa u kufizuar në, ndërtimin e kapaciteteve të qeverisjes, marrëdhëniet rajonale, rindërtimin, tërheqjen e investimeve, financimin në shkallë të gjerë dhe mobilizimin e kapitalit”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Përfshirja e Blairit pritet të jetë e debatueshme në rajon. Ish-udhëheqësi laburist mbetet një figurë përçarëse në Lindjen e Mesme për rolin e tij në pushtimin e Irakut të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003, raportoi Guardian.
Lista u bë publike një ditë pasi Trump njoftoi formimin e “bordit të paqes” si pjesë e fazës së dytë të planit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza. Me stilin e tij karakteristik entuziast, presidenti e përshkroi atë si “bordin më të madh dhe më prestigjioz që është mbledhur ndonjëherë, në çdo kohë, në çdo vend”.
Krijimi i tij pason formimin e një komiteti teknokratik palestinez me 15 anëtarë, i ngarkuar me drejtimin e çështjeve të përditshme në Gazën e pasluftës. Ky organ do të drejtohet nga Ali Sha’ath, një vendas i Gazës dhe ish-zëvendësministër në Autoritetin Palestinez.
Plani i paqes i mbështetur nga SHBA, i nisur më 10 tetor, solli lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura që mbaheshin nga Hamasi dhe një ndërprerje të luftimeve midis Izraelit dhe grupit militant. Faza e dytë tani ka nisur, megjithëse raportet për mungesa të ndihmave dhe dhunë sporadike vazhdojnë të hedhin hije mbi procesin.
Që nga armëpushimi, Izraeli ka shkatërruar gjithashtu mijëra struktura që i kishin mbijetuar luftës, përfshirë shtëpi dhe sera, në pjesën e Gazës që ende kontrollon.
