Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kërkon më pak vaksinime për fëmijët, ndërsa përsëriti thirrjet që vaksina që mbron kundër fruthit, shytave dhe rubeolës e njohur si MMR të ndahet në tre doza të veçanta, ndërsa numri i vaksinave ulet në 11 nga 18 që rekomandohen nga Akademia Amerikane e Pediatrisë.
“Administrata ime po njeh rekomandimet e vaksinimit të fëmijëve të standardit të artë vetëm për 11 vaksina bazë kundër sëmundjeve më serioze dhe më të rrezikshme, së bashku me MMR-në, e cila shpresojmë të ndahet”- tha Trump gjatë nënshkrimit në Zyrën Ovale.
“Dekada më parë, fëmijët merrnin vetëm një pjesë të vogël të vaksinave të kërkuara sot dhe në ato kohë, njerëzit ishin shumë më të shëndetshëm dhe sigurisht që nivelet e larta të autizmit që vërehen tani nuk ekzistonin.”- tha presidenti i cili ka hedhur prej kohësh dyshime mbi sigurinë e vaksinave MMR, por studime të shumta nuk kanë gjetur asnjë lidhje midis vaksinave dhe autizmit.
Frenimi i vaksinave ka qenë një përparësi kyçe për Sekretarin e Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr, i cili themeloi një organizatë jofitimprurëse kundër vaksinimit dhe ka promovuar prej kohësh një lidhje të pavërtetuar midis imunizimit dhe autizmit.
Urdhri i fundit i presidentit vjen gjithashtu pikërisht në kohën kur fëmijët në të gjithë vendin po përgatiten të kthehen në shkollë dhe ndërsa SHBA-të vuajnë nga shpërthimi më i keq i fruthit në 35 vjet.
