Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk do të marrë asnjë vendim përfundimtar për luftën në Ukrainë pa përfshirjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Deklarata e tij vjen pas takimit trepalësh me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe presidentin kinez, Xi Jinping, të mbajtur në Shenzhen të Kinës.

“Nuk do të merrja asnjë vendim përfundimtar në lidhje me luftën në Ukrainë pa Zelenskyn”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan foli edhe për marrëdhëniet mes Putinit dhe Zelenskyt, duke thënë se lideri rus ishte jashtëzakonisht i zemëruar me homologun ukrainas për sulmin ndaj Urës së Krimesë. Trump shtoi se e kuptonte zemërimin e presidentit rus.

Ndërkohë, përjashtimi i Ukrainës nga takimi trepalësh ka shkaktuar reagime në Kiev. Presidenti Zelensky e cilësoi mungesën e vendit të tij në samit si një “gabim të madh”, duke theksuar se asnjë marrëveshje për të ardhmen e Ukrainës nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen e saj.

Më herët, Zelensky kishte deklaruar se Trump dhe Xi Jinping kanë ndikim të mjaftueshëm ekonomik dhe politik për t’i dhënë fund luftës, nëse ushtrojnë presion të koordinuar ndaj Moskës.

Sipas tij, kërcënimi me sanksione ndaj tregtisë me Rusinë nga dy ekonomitë më të mëdha të botës mund ta detyrojë Putinin të ndalë agresionin.

Deklarata e Trump vjen në kohën kur vazhdojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ndërsa Ukraina dhe vendet evropiane kërkojnë të jenë pjesë e çdo negociate që përcakton të ardhmen e vendit.