Presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk do të bëjë një armëpushim me Iranin. Në një prononcim për gazetarët përpara se të nisej për të kaluar fundjavën në Florida, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se “nuk do të bëjë një armëpushim, në një kohë kur tekstualisht po e shfarros palën tjetër.”
Përgjigja erdhi pas një pyetjeje në lidhje me thirrjen e Papa Leonit të 14 për të ndalur luftimet. Ai deklaroi se SHBA-të e kanë goditur Iranin “jashtëzakonisht fort” deri në atë pikë sa “nuk e di nëse mund të ketë goditje më të ashpër.” “Ata janë banditë, kafshë dhe njerëz të tmerrshëm”, tha Trump për eksponentët e regjimit iranian.
I pyetur nëse Izraeli do të jetë gati të përfundojë luftën në Iran kur SHBA-të të jenë gati, Trump mendon se po. Marrëdhënia me Izraelin është shumë e mirë, ne duam gjëra pak a shumë të ngjashme dhe të dy kombet “duan fitoren”, shtoi ai. Donald Trump foli edhe për Ngushticën e Hormuzit.
Në veçanti, ai vuri në dukje rolin që Japonia dhe Kina duhet të luajnë. “Do të ishte mirë nëse këto vende do të përfshiheshin. Në një moment të caktuar, ajo do të hapet vetë”.
Ai shtoi gjithashtu se nevojitet “shumë ndihmë” për të pasur një kalim të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, që është bllokuar nga forcat iraniane që nga fillimi i luftës, duke ndërprerë masivisht trafikun detar dhe duke shkaktuar rritjen globale të çmimeve të energjisë./Top-Chanel/
