Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sugjeruar se është i gatshëm të negociojë planin e propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për paqe në Ukrainë, duke thënë se propozimi nuk është oferta e tij finale.
Trumpi i ka dhënë afat Volodymyr Zelenskyt të Ukrainës deri të enjten që ta pranojë planin 28-pikësh. Ky plan parasheh dorëzim të territoreve kyçe ukrainase dhe lëshime të tjera përballë Rusisë, përfshirë zvogëlimin e kapaciteteve ushtarake.
I pyetur për planin që u kundërshtua nga liderët evropianë, Trumpi ka thënë se “kjo nuk ishte oferta ime e fundit”.
“Do të donim të arrinim paqe. Duhej të kishte ndodhur shumë kohë më parë… po përpiqemi t’i japim fund. Në një mënyrë ose në një tjetër, duhet t’i japim fund”, ka thënë ai për gazetarët.
I pyetur se çka do të ndodhte nëse Zelensky nuk e pranon planin deri të enjten, Trumpi ka thënë: “Atëherë ai mund të luftojë me gjithë zemër”.
Deklarata e Trumpit vjen në kohën kur një delegacion amerikan i udhëhequr nga sekretari i shtetit Marco Rubio, po përgatiet për takim me zyrtarë nga Kievi, Britania dhe Evropa në Zvicër.
Sipas burimeve të “Axios”, marrëveshja parasheh “bashkëpunim” mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë dhe se ajo mund të ndryshojë.
