Donald Trump ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë përmes diplomacisë, duke shprehur besimin se ekzistojnë mundësi të mira për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, pas samitit trepalësh me Vladimir Putinin dhe presidentin kinez Xi Jinping në Kinë, Trump tha se kreu i Kremlinit i kishte shprehur qartë dëshirën për përfundimin e konfliktit.
“Gjatë takimit tim me Putinin, ai shprehu qartë dëshirën e tij që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të përfundojë përmes mjeteve diplomatike”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump bëri të ditur se përpjekjet diplomatike vijojnë dhe se përfaqësuesit amerikanë po punojnë për të gjetur një zgjidhje, por pranoi se negociatat janë të vështira.
“Përfaqësuesit tanë po bëjnë një punë të mirë, por është një mision i vështirë. Problemi është se presidenti Zelensky dhe presidenti Putin kanë një urrejtje të jashtëzakonshme për njëri-tjetrin dhe kjo nuk është kurrë e lehtë”, u shpreh ai.
Megjithatë, Trump shprehu optimizëm për një marrëveshje të mundshme.
“Besoj se ekziston një mundësi shumë e mirë që të arrijmë një marrëveshje”, tha ai.
Presidenti amerikan pretendoi se rreth 25 mijë persona, kryesisht ushtarë, humbasin jetën çdo muaj në luftën në Ukrainë. Ai përsëriti gjithashtu pretendimin se pushtimi rus nuk do të kishte ndodhur nëse ai do të ishte president i SHBA-së në atë kohë.
Sipas Trump, Putini i kishte thënë se nuk do ta kishte nisur pushtimin nëse në krye të Shtëpisë së Bardhë do të ishte ai.
“E pyeta: A do të kishe pushtuar nëse unë do të isha president? Dhe ai m’u përgjigj: Jo, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë”, tregoi Trump.
Ai hodhi poshtë gjithashtu kritikat se mban një qëndrim tepër miqësor ndaj Moskës, duke kujtuar se gjatë mandatit të tij të parë SHBA-të i furnizuan ukrainasit me raketa antitank Javelin.
