Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi dje se do të vendosë tarifa doganore prej 25 për qind për mallrat indiane. Ai akuzoi Indinë për tarifa jashtëzakonisht të larta dhe për lidhje të ngushta me Rusinë, duke sqaruar se nga 1 gushti do të hyjnë në fuqi tarifat prej 25 për qind për eksportet indiane, së bashku me sanksione shtesë për blerjen e naftës dhe armëve ruse.
Aktualisht, tarifa doganore bazë për produktet indiane të eksportuara në SHBA është 10 për qind. Trump e përshkroi Indinë si një vend me “barriera tregtare jomonetare më të ashpra dhe më të ngarkuara se çdo vend tjetër”. Ai e bëri njoftimin menjëherë në rrjetin e tij social, Truth Social.
“Nuk më intereson çfarë bën India me Rusinë. Sipas meje, ata mund të shkatërrojnë së bashku ekonomitë e tyre të vdekura. Kemi bashkëpunuar shumë pak me Indinë. Tarifat e tyre janë shumë të larta, ndër më të lartat në botë. Për më tepër, Rusia dhe SHBA pothuajse asnjëherë nuk bashkëpunojnë. Le të mbetet ashtu. Dhe i thoni Medvedevit, ish-presidentit të pasuksesshëm të Rusisë, i cili ende mendon se është president, të ketë kujdes se çfarë thotë — po hyn në territor shumë të rrezikshëm”, shkroi Trump.
Trump, të martën, njoftoi se do të vendosë tarifa ndaj Rusisë për një periudhë 10-ditore nëse Kremlini nuk pranon të ndalë luftën brenda atij afati. Dmitri Medvedev, zëvendës-kryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe ish-president, reagoi me pakënaqësi ndaj këtij paralajmërimi.
“Trump po luan lojën e ultimatumeve me Rusinë: 50 ditë apo 10… Ai duhet të kujtojë dy gjëra: 1. Rusia nuk është as Izraeli, e as Irani. 2. Çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës. Jo më mes Rusisë dhe Ukrainës, por me vendin e tij. Mos ndiq rrugën e Joe-t të përgjumur”, shkroi Medvedev në X.
