Katie Zacharia është larguar nga posti i sekretares për shtyp të Shtëpisë së Bardhë vetëm pesë ditë pasi mori detyrën, pas kritikave për paraqitjen e saj të parë para gazetarëve dhe polemikave lidhur me kualifikimet e saj profesionale.

Sipas gazetës britanike The Guardian, largimi i saj është konfirmuar të premten nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili ka folur në kushte anonimiteti.

Gazeta amerikane The New York Times raportoi se Zacharia ishte shkarkuar, ndërsa Fox News e përshkroi largimin e saj si një proces kalimi nga detyra.

Zacharia kishte marrë postin pas largimit të Karoline Leavitt dhe ishte emëruar më 9 tetor.

Konferenca 14-minutëshe që shkaktoi kritika

Paraqitja e parë e Zacharias para gazetarëve, të martën, u shoqërua me kritika të shumta për mënyrën se si ajo drejtoi konferencën.

Konferenca zgjati vetëm 14 minuta, gjatë të cilave zëdhënësja iu përgjigj pyetjeve të vetëm tri mediave.

Sipas The Guardian, ajo lexoi kryesisht nga shënimet e përgatitura dhe pati vështirësi gjatë prezantimit të disa përgjigjeve.