Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se uraniumi i pasuruar i Iranit do të dërgohet në SHBA për t’u shkatërruar ose do të asgjësohet në një lokacion tjetër, ndërsa vazhdojnë bisedimet për një marrëveshje kornizë për përfundimin e luftës me Iranin.
Sipas Trumpit, uraniumi i pasuruar do t’i dorëzohet “menjëherë” SHBA-së dhe do të shkatërrohet atje, ose do të asgjësohet në vend apo në një lokacion tjetër të pranueshëm në koordinim me Teheranin, shkroi ai në platformën Truth Social.

Trump shtoi se në proces duhet të marrë pjesë “Komisioni për Energji Atomike ose ekuivalenti i tij”, por mbetet e paqartë nëse ai i referohej agjencisë amerikane apo Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) të OKB-së me seli në Vjenë.
Po ashtu, nuk është e qartë nëse Trump po përshkruan gjendjen aktuale të negociatave, një kërkesë amerikane apo një pikë që tashmë është dakorduar në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme.
E ardhmja e rezervave të Teheranit prej rreth 400 kilogramësh uranium të pasuruar në nivel të lartë mbetet një nga pengesat kryesore në negociata.
Izraeli dhe SHBA-ja hynë bashkërisht në luftë kundër Iranit më 28 shkurt.
