Presidenti i SHBA-së, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv me të cilin vendosen tarifa globale prej 10 për qind, pasi Gjykata Supreme dje shfuqizoi tarifat e tij doganore të prillit të vitit të kaluar.
“Është një nder i madh për mua që në Zyrën Ovale të nënshkruaj një tarifë globale prej 10 për qind për të gjitha vendet, e cila hyn në fuqi pothuajse menjëherë”, shkroi Trump në Truth Social.
Disa orë më herët, Trump e paralajmëroi masën, duke thënë se tarifat e reja prej 10 për qind do të jenë “shtesë mbi tarifat normale që SHBA tashmë i aplikon”.
Trump theksoi se tarifat do të vendosen në përputhje me Nenin 122 të Ligjit për Tregtinë të vitit 1974, i cili i jep presidentit autorizim për të vendosur tarifa të përkohshme tregtare për të zgjidhur problemet me bilancin e pagesave.
Trump e bëri këtë veprim pasi Gjykata Supreme e SHBA-së më herët i rrëzoi tarifat gjithëpërfshirëse që ai i vendosi prillin e kaluar.
Paketa, që përfshinte dhjetëra vende, bazohej në Ligjin për Fuqitë Ekonomike Ndërkombëtare në Gjendje të Jashtëzakonshme të vitit 1977. Gjykata Supreme vendosi se, megjithëse ligji i lejon presidentit të rregullojë tregtinë e jashtme gjatë një emergjence kombëtare, nuk i lejon atij të vendosë tarifa doganore.
