Me një armëpushim të brishtë midis Izraelit dhe Hamasit, presidenti amerikan, Donald Trump thotë se tani po e kthen vëmendjen e tij drejt përfundimit të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe po shqyrton mundësinë e furnizimit të Kievit me armë me rreze të gjatë veprimi, më qëllimin për ta nxitur Moskën të ulet në tryezën e negociatave.

Përfundimi i luftërave në Ukrainë dhe Gazë ishte premtimi kryesor në fushatën e Trumpit për rizgjedhje në vitin 2024, dhe ai vazhdimisht ka kritikuar ish-presidentin, Joe Biden për trajtimin e konflikteve.

Megjithatë, ashtu si paraardhësi i tij, Trumpi është penguar gjithashtu nga presidenti Vladimir Putin, pasi ka ushtruar pa sukses presion mbi udhëheqësin rus për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për t’i dhënë fund luftës që po i afrohet vitit të katërt.

Por, meqe është arritur armëpushimi në Gazë, Trumpi ka shprehur besimin e tij se më në fund mund të bëjë përparim në përfundimin e pushtimit rus.

Ai gjithashtu ka sinjalizuar se është gati të rrisë presionin mbi Putinin nëse ai nuk ulet në tryezë së shpejti.

“Është interesante që kemi bërë përparim sot, për shkak të asaj që ka ndodhur në Lindjen e Mesme”, ka thënë Trumpi për luftën Rusi-Ukrainë, në një ngjarje të mërkurën në mbrëmje.

Ndërkohë, në një fjalim që ka mbajtur të hënën në parlamentin izraelit, Trumpi ka parashikuar se armëpushimi në Gazë do të hidhte themelet për SHBA-në për të ndihmuar Izraelin dhe shumë nga fqinjët e saj në Lindjen e Mesme të normalizojnë marrëdhëniet.

Por Trumpi gjithashtu e ka bërë të qartë se përparësia e tij kryesore e politikës së jashtme tani është përfundimi i konfliktit më të madh të armatosur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Së pari duhet të bëjmë çmos me Rusinë”, është shprehur Trumpi, duke iu drejtuar të dërguarit të tij të posaçëm Steve Witkoff, i cili ka shërbyer gjithashtu si bashkëbiseduesi kryesor i administratës së tij me Putinin.

“Duhet ta bëjmë këtë. Nëse nuk të shqetëson, Steve, le të përqendrohemi së pari te Rusia. Dakord?”, është shprehur Trump.

Trumpi do të presë Zelenskyn për bisedime të premten, takimi i tyre i katërt ballë për ballë këtë vit.

Përpara takimit, Trumpi ka thënë se po shqyrton shitjen e raketave lundruese Tomahaëk me rreze të gjatë veprimi për Kievin, të cilat do t’i mundësonin Ukrainës të godiste thellë në territorin rus – nëse Putini nuk e zgjidh luftën së shpejti.

E Zelensky, i cili prej kohësh ka kërkuar sistemin e armëve, ka thënë se kjo do ta ndihmonte Ukrainën të ushtronte llojin e presionit mbi Rusinë që nevojitet për ta bindur Putinin të angazhohet në bisedimet e paqes.