Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ka ndërmend t’ia falë dënimin reperit dhe producentit Sean “Diddy” Combs, pavarësisht se ai i ka dërguar personalisht një letër, me të cilën ka kërkuar falje presidenciale.

Gjatë një interviste dyorëshe me gazetarët e The New York Times më 7 janar, Trump u pyet për disa figura të njohura që aktualisht ndodhen në burg, mes tyre edhe Combs. Presidenti ka konfirmuar se ka marrë një kërkesë me shkrim nga Diddy, por ka thënë qartë se nuk po e shqyrton mundësinë e faljes.

“Ai më ka kërkuar falje… përmes një letre”, u shpreh Trump. Kur gazetarët e pyetën se kur ishte dërguar letra, ai u përgjigj: “Oh, doni ta shihni atë letër?”, por nuk e bëri publike.

Trump ka folur edhe më herët për këtë çështje.

Më 6 tetor, gjatë një deklarate në Zyrën Ovale, ai tha se themeluesi i lejbëllit “Bad Boy Records” i kishte kërkuar falje, ndërkohë që Combs po vuan dënimin prej 50 muajsh burgim në New Jersey dhe po apelon si dënimin, ashtu edhe vendimin e gjykatës me të cilin u shpall fajtor.

Nuk dihet nëse Combs i ka dërguar ndonjë letër të re Trumpit pas këtyre komenteve.

Në një deklaratë për USA TODAY më 21 tetor, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i pati mohuar zërat se presidenti po shqyrtonte uljen e dënimit të Combsit.

“Nuk ka asnjë të vërtetë në këtë raport. Presidenti, jo burime anonime, është vendimmarrësi final për faljet dhe uljet e dënimeve”, thuhej në deklaratë.

Trump ka pranuar se marrëdhënia e tij me Diddyn është përkeqësuar ndër vite.

Në një intervistë për Newsmax më 1 gusht 2025, ai ka thënë se komentet “armiqësore” të Combsit gjatë mandatit të tij të parë presidencial e kanë bërë më të vështirë çdo ide për falje.

“Ne kishim marrëdhënie shumë të mira. Më dukej njeri i sjellshëm. Nuk e njihja mirë, por kur vendosa të kandidoja për president, ai u bë shumë armiqësor”, ka thënë Trump.

“Ndoshta ishte disi, si të them, gjysmë i pafajshëm. Nuk e di saktësisht çfarë po ndodh, ai është ende në burg apo diçka e tillë. Po festonte një fitore, por duket se nuk ishte aq e madhe sa mendohej”, pati thënë tutje ai.

Kur u pyet drejtpërdrejt nëse kjo do të thoshte një “jo” për faljen e Combsit, Trump u përgjigj shkurt: “Do të thosha po”.

Më 2 korrik 2025, pas gjyqit që zgjati gati dy muaj, një juri prej 12 personash mori vendim të ndarë. Sean Combs u shpall fajtor për dy akuza për transport për qëllime prostitucioni, që lidhen me ish-partneren e tij Casandra “Cassie” Ventura Fine dhe një grua tjetër e identifikuar si “Jane”, të cilat dëshmuan në gjykatë.

Ndërkohë, ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda, përfshirë shantazh kriminal (racketeering) dhe dy akuza për trafikim seksual.

The post Trumpi nuk e ka në plan ta falë P.Diddyn appeared first on Alsat.