Një gjykatë turke dënoi me burgim të përjetshëm 11 persona, përfshirë pronarin e një hoteli luksoz në resortin malor Kartalkaya, pas zjarrit që shkaktoi vdekjen e 78 personave, mes tyre rreth 30 fëmijë.

Zjarri shpërtheu më 21 janar në hotelin “Grand Kartal”, në veri të Turqisë, duke përfshirë të gjithë godinën në pak minuta. Hetimet zbuluan se ishin shkelur rregullat e sigurisë dhe se sistemi i alarmit nuk funksiononte natën e ngjarjes.

Përveç 78 viktimave, 137 persona të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa familje të tëra u zhdukën në flakë. Të afërmit e viktimave vendosën fotografitë e tyre përpara palestrës në qytetin e Bolusë, ku u zhvilluan seancat gjyqësore.

Sipas mediave turke, përveç pronarit të hotelit, dënime me burgim të përjetshëm morën edhe drejtori i hotelit dhe disa anëtarë të bordit drejtues. Një zëvendëskryetar bashkie në Bolu dhe shefi lokal i zjarrfikëses u dënuan gjithashtu me burg, ndërsa vendimi i gjykatës u prit me duartrokitje në sallë.

Gjykata dënoi gjithsej edhe 18 të pandehur të tjerë, shumica punonjës të hotelit, me dënime nga 12 deri në 22 vjet burg, ndërsa tre persona, përfshirë dy kuzhinierë, u shpallën të pafajshëm.

The post Turqi, 11 të dënuar me burgim të përjetshëm pas tragjedisë në resortin malor appeared first on Alsat.