Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ka hapur sot një hetim për gjenocid dhe ka lëshuar 37 urdhër-arreste ndërkombëtare.
Në krye të listës është kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe bashkë me të akuzohen pothuajse e gjithë komanda e lartë ushtarake dhe politike e Izraelit që drejton luftën në Gazë që nga 7 tetori 2023.
Dosja turke është 184 faqe dhe mban titullin “Gjenocidi në Gaza – Hetim Penal Nr. 2025/41341”.
Aty thuhet fjalë për fjalë se Netanyahu dhe 36 të tjerët “me dashje dhe në mënyrë sistematike kanë kryer akte që synojnë shkatërrimin e plotë ose të pjesshëm të popullsisë palestineze në Rripin e Gazës, duke plotësuar elementët e nenit 6 të Statutit të Romës për gjenocid”.
Konkretisht, prokuroria turke i akuzon për vrasjen e qëllimshme të 43.712 civilëve palestinezë (shifër zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza deri më 6 nëntor 2025), shkaktimin e dëmit të rëndë fizik dhe mendor ndaj 96.000 të plagosurve, krijimin e kushteve të jetesës që synojnë shfarosjen fizike (bllokimi i ujit, ushqimit, ilaçeve dhe energjisë për 2.3 milionë njerëz), pengimin e lindjeve duke shkatërruar 33 nga 36 spitalet dhe duke vrarë 387 punonjës shëndetësorë
Si prova kryesore përmendet shpërthimi në oborrin e spitalit Al-Ahli Baptist më 17 tetor 2023 ku u vranë 471 persona brenda pak sekondash.
Përveç Netanyahut, në listë janë edhe emrat që drejtojnë çdo ditë operacionet ushtarake: ministri i mbrojtjes Israel Katz, shefi i shtabit Eyal Zamir, komandanti i jugut Yaron Finkelman, ish-shefi i inteligjencës Aharon Haliva, kreu i Shin Bet Ronen Bar, komandanti i forcave ajrore Tomer Bar, dhe 30 oficerë të tjerë që kanë firmosur urdhrat për bombardimet në Jabalia, Khan Younis, Rafah dhe kampin Nuseirat.
Urdhër-arrestet janë dërguar sot në Interpol dhe në 124 vende që njohin juridiksionin universal për gjenocid. Turqia ka njoftuar se do të kërkojë edhe nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë që t’i bashkëngjitet kësaj dosjeje. Izraeli e ka quajtur vendimin “antisemitizëm ligjor” dhe “farsë politike”.
Zëdhënësi i qeverisë tha se “Turqia strehon udhëheqës të Hamasit në pallatet e Ankarasë dhe tani lëshon urdhër-arreste për ne që mbrojmë popullin tonë nga terroristët. Është e njëjta Turqi që mohon gjenocidin armen.”
Ndërkaq presidenti Erdogan ka dalë live në televizionin TRT duke thënë se “Netanyahu ka kaluar çdo kufi. Ai është Hitleri i shekullit 21. Sot Stambolli foli në emër të 2 miliardë muslimanëve dhe të gjithë njerëzve me ndërgjegje.”
Kjo është hera e parë në histori që një prokurori turke lëshon urdhër-arrest për një kryeministër në detyrë të një vendi tjetër për gjenocid.

