Industria turke e mbrojtjes po vazhdon të zgjerohet me produkte dhe koncepte të reja në fushën e dronëve. Kompania SkyDagger, e cila nisi vitin e kaluar prodhimin e dronëve kamikazë FPV — të operuar përmes syzeve ose ekranit duke krijuar ndjesinë e fluturimit në kabinë — ka zhvilluar tashmë një gamë të gjerë modelesh me madhësi të ndryshme. Tani kompania ka prezantuar edhe një variant të ri me krahë të fiksuar (sikur të aeroplanëve të zakonshëm).
Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë Baykar, Haluk Bayraktar, ka prezantuar modelin e ri SKYDAGGER TOYCA 05 përmes një postimi në platformën NSosyal. Në videon e publikuar, droni me krahë të fiksuar, i lëshuar nga një katapult, bie në sy për manovrat e tij agresive dhe fleksibilitetin operativ, shkruan TRT.
“SKYDAGGER TOYCA 05” ka rreze veprimi deri në 70 kilometra, kokë luftarake shpërthyese prej 5 kilogramësh, komunikim “mesh” për fluturim në formacion (swarm), mbrojtje kundër ndërhyrjeve elektronike (anti-jamming) dhe mundësi operimi FPV ose fluturim tërësisht autonom.
SkyDagger njofton se ka kapacitet prodhimi prej mbi 30 mijë dronësh me krahë të fiksuar në vit.
