U arrestuan dy persona në rajonin e Tetovës, një shofer autobusi dhe një pasagjer, tek të cilët u gjetën 34.965 euro të padeklaruara, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Zyrtarët policorë nga Njësia Mobile për Masa Kompensuese pranë Departamentit për Punë Kufitare dhe Migracion në zonën e SPB Tetovë kanë ndaluar një autobus “Mercedes”, në pronësi të një agjencie turistike, i drejtuar nga R.F. (37) nga fshati Dobrosht i Tetovës, i cili qarkullonte në relacionin Gjermani–Maqedoni.
Gjatë kontrollit të autobusit, në rimorkio janë gjetur disa bidonë për të cilët personi nuk posedonte dokumente dhe leje për transport.
Ndërsa gjatë kontrollit të njërit prej pasagjerëve, F.I. (20) nga Tearca e Tetovës, janë gjetur pesë zarfe me prerje të ndryshme parash, me vlerë totale prej 34.965 eurosh, të cilat kishin kaluar përmes pikës kufitare Tabanoc pa i deklaruar, dhe nuk posedonte asnjë dokument për pronësinë dhe origjinën e parave.
Siç njoftojnë nga MPB, personat janë privuar nga liria sipas nenit 278 “kontrabandë” të Kodit Penal dhe nenit 29 të Ligjit për Punë Devizore, dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tyre do të parashtrohen kallëzime përkatëse./Alsat.mk.
The post U arrestuan dy persona nga rajoni i Tetovës, policia gjeti 34.965 euro të padeklaruara appeared first on Alsat.
