Gjatë vizitës në Stacionin Policor me kompetencë të përgjithshme Bit Pazar, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovsi u dorëzoi vendimet 120 punonjësve të rinj policor në SPB Shkup, përcjell TV21. Punonjësit e rinj përfunduan me sukses stazhin praktik dhe do ta ushtrojnë detyrën e tyre në kuadër të Sektorit për Punë të Brendshme Shkup ku do të angazhohen në njësi të ndryshme organizative.

“Ministri Toshkovski i përgëzoi policët e sapoemëruar për zgjedhjen e profesionit policor, duke theksuar se bëhet fjalë për një mision të përgjegjshëm dhe fisnik në shërbim të qytetarëve dhe shtetit. Ai theksoi se profesioni policor paraqet një thirrje dhe obligim për mbrojtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe sigurisë, si bazë për një shoqëri stabile dhe funksionale.

Në fjalimin e tij, ministri potencoi se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar për sigurimin e kushteve adekuate të punës, edukim të vazhdueshëm dhe zhvillim profesional të punonjësve policorë, me qëllim të kryerjes efikase dhe profesionale të detyrave të tyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.