Efektivi i Policisë së Shqipërisë në Komisariatin nr. 5 të Tiranës, Aurel Kaziu, 28 vjeç, i arrestuar një ditë më parë në pikën kufitare të Mendares nga Policia e Kosovës, është pezulluar nga detyra nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

Në lidhje: Deshi të hyjë në Kosovë me 1 milion euro të fshehura brenda automjetit, zbulohet nga Dogana!

Sipas informacionit zyrtar, Kaziu kishte përfunduar shërbimin e natës dhe kishte dy ditë pushimi, por nuk kishte njoftuar eprorët për daljen jashtë kufijve. Efektivi, pjesë e policisë prej rreth 3 vitesh, më parë është marrë edhe me transportin e mallrave nga Shqipëria drejt vendeve të Evropës dhe Britanisë së Madhe dhe anasjelltas, përfshirë emigrantët shqiptarë.

Sasia e parave të sekuestruara, rreth 1 milion euro, dyshohet se i përkasin aktiviteteve kriminale dhe Kaziu, së bashku me dy persona të tjerë, po i transportonin në mënyrë të paligjshme. Autoritetet shqiptare pritet të kontaktojnë me ato kosovare për të sqaruar rrethanat e plota të përfshirjes së efektivit.