Edhe pse ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka dhënë urdhër nga qelia për nisjen e dekorimeve të fundvitit në kryeqytet. Bashkia e Tiranës ka njoftuar zyrtarisht mediat se përgatitjet për festat kanë filluar, në zbatim të një udhëzimi të posaçëm të firmosur prej tij.
Sipas njoftimit, Veliaj i ka kërkuar Ndërmarrjes së Dekorit dhe Eventeve që të vendosë ndriçime dhe zbukurime në sheshe, rrugë kryesore dhe hapësira publike, me synimin që Tirana “të ndriçojë sërish për festat e fundvitit”. Dekorimet, thuhet më tej, duhet të përmbushin “standardet më të larta të sigurisë” dhe të respektojnë kriteret teknike dhe estetike të përcaktuara nga bashkia.
“Edhe pse ndodhet në kushte të vështira, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka urdhëruar që qyteti të fillojë menjëherë përgatitjet për festat e fundvitit”, theksohet në deklaratën zyrtare.
Në dokument Bashkia sjell edhe bazën ligjore të këtij veprimi, duke nënvizuar se urdhri jepet “në zbatim të vendimit nr. 420, datë 08.06.2006 të Këshillit të Ministrave ‘Për miratimin e ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë’”, që rregullon mënyrën e organizimit dhe dekorimit të qyteteve në raste festash zyrtare.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi shkarkimin e Veliajt nga detyra. Me vendimin e 3 nëntorit, Kushtetuesja shpalli të pavlefshëm si vendimin e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e tij, ashtu edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Tiranë më 9 nëntor.
Gjykata arsyetoi se mungesa e Veliajt në detyrë, si pasojë e arrestimit të tij, nuk përbën “shkelje të rëndë” që justifikon ndërprerjen e mandatit. Me këtë vendim, ai vijon ligjërisht të jetë kryebashkiak, pavarësisht se fizikisht ndodhet në qeli.

