Në shumë vende të botës, uebfaqe të shumta nuk janë hapur përkohësisht për shkak të problemeve të shfaqura në “Cloudflare”, që është infrastrukturë mbrojtëse prej sulmeve dhe shërben si “mur” mes vizitorëve dhe serverëve.

Vizitorët e uebfaqeve si rrjeti social “X” dhe shumë të tjera thjesht u  përballën me një mesazh që tregon se “Cloudflare” ka probleme. Njëjtë kanë pësuar uebfaqe të shumta në Maqedoni e Kosovë.

Ky shërbim është një prej teknologjive bazë në internet sot. Ai ofron mbrojtje të uebfaqeve nga sulmet dhe siguron rrjedhë normale të trafikut online.

“Cloudflare është në dijeni të rastit, dhe po heton çështjen që potencialisht ka prekur shumë klienta”, ka thënë kompania në një njoftim të fundit. “Detajet e mëtejme do të bëhen të ditura sapo të ketë diçka në dispozicion”.

Edhe uebfaqja që përcjell telashet në internet “Down Detector” ka rënë vetë pasojë e problemit teknik.

Problemi u shfaq në gjithë botën pas orës 12:00 në mesditë të martën.