UEFA ka marrë masa të rënda disiplinore ndaj trajnerit të Barcelonës, Hansi Flick, pas sjelljes së tij në sfidën ndaj Interit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve sezonin e kaluar.

Komiteti Disiplinor i qeverisë europiane të futbollit vendosi të premten që Flick dhe asistenti i tij, Marcus Sorg, të gjobiten me nga 20 mijë euro dhe të pezullohen me nga një ndeshje në kompeticionet europiane për sjellje të papërshtatshme ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Trajneri gjerman u pa tejet i irrituar me disa prej vendimeve arbitrare gjatë humbjes 4-3 ndaj Interit, sfidë që rezultoi fatale për “blaugranat” në rrugëtimin e tyre europian.

Përveç stafit teknik, edhe lojtarët nuk i shpëtuan sanksioneve. Sulmuesit Lamine Yamal dhe Robert Lewandowski u gjobitën me nga 5 mijë euro për mosrespektim të protokollit antidoping, pasi nuk u paraqitën menjëherë pas ndeshjes në zonën e kontrollit.

Klubi katalanas u ndëshkua gjithashtu me 5.250 euro për hedhje objektesh nga tifozët dhe 2.500 euro të tjera për përdorim të fishekzjarrëve gjatë ndeshjes.

As Interi nuk mbeti jashtë listës së penalizimeve. Klubi italian u gjobit me 22 mijë euro për bllokimin e hyrjeve nga tifozët dhe 11.500 euro për ndezjen e fishekzjarrëve.

Këto masa vijnë si një paralajmërim i qartë nga UEFA për sjellje të papranueshme në fushë dhe jashtë saj në kompeticionet ndërkombëtare.