Universiteti i Evropës Juglindore u shënoi 24-vjetorin e themelimit. Ceremonia mblodhi rektorë të universiteteve publike nga vendi dhe rajoni, përfaqësues të korit diplomatik, komunitetit të biznesit, trupave të akreditimit dhe cilësisë në arsim, si dhe shumë mysafirë të tjerë. Rektori i UEJL-së, Sadudin Ibraimi, theksoi rolin kyç të universitetit në avancimin e arsimit, inovacionit dhe gjithëpërfshirjes. Ai nënvizoi se zhvillimi i 7 fakulteteve, përfshirë dy më të rejat, atë të Shkencave Teknike dhe atyre Shëndetësore, përbën dëshmi të qartë të dinamizmit dhe vizionit strategjik të institucionit. Rektori Ibraimi foli edhe për disa prej arritjeve më të rëndësishme të vitit.

“Që nga zanafilla e tij UEJL ka qenë shembull i përfshirjes, diversitetit dhe ekselencës akademike. Sot duke reflektuar mbi rrugëtimin tonë, mund të themi me krenari se universiteti ynë është konsoliduar si një institucion i njohur dhe i respektuar në rajon dhe më gjerë. Këtë e dëshmon rritja e vazhdueshme e numrit të studentëve dhe si rezultat i rritjes së fakulteteve, programeve studimore dhe bursave studimore, që reflektojnë qëndrueshmërinë afatgjate të këtij institucioni. Fuqia jonë akademike qëndron në shtatë fakultetet tona që sot përbëjnë shtyllën intelektuale të Universitetit duke avancuar kërkimin shkencor, inovacionin dhe formimin e profesionistëve që kontribuojnë me vlerë në shoqëri”, tha Sadudin Ibraimi.