Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ka demantuar përmes një komunikate zyrtare pretendimet se kafsha e kapur dje në lagjen Kozle të Shkupit është një qen shtëpiak i pajisur me çip, pronari i të cilit kërkon kthimin e tij, e jo ujk siç ishte supozuar fillimisht.

Nga AUV njoftuan se gjatë ditës do të realizohet një inspektim i jashtëzakonshëm në Kopshtin Zoologjik të Shkupit, me qëllim që të përcaktohet lloji dhe gjendja shëndetësore e kafshës. Megjithatë, në opinionin publik është ngritur pyetja se sa kohë u nevojitet institucioneve për të konstatuar një çështje kaq elementare – nëse bëhet fjalë për ujk apo qen.

Reagimet dhe talljet në rrjetet sociale nisën menjëherë pasi kryetari i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, publikoi se ishte kapur një ujk që lëvizte nëpër Shkup. Shumë qytetarë ironizuan mënyrën se si autoritetet e trajtuan rastin, duke komentuar se kafsha kishte shëtitur me ditë të tëra nëpër qytet dhe ushqehej nga qytetarët me snack-e “nga dora”, ndërsa më pas u paraqit si rrezik serioz.

Një nga komentet më të shpërndara në rrjetet sociale e krahasoi fatin e kafshës me atë të shtetit dhe debatit për identitetin maqedonas.

“Do të të rrëmbejnë, do të të ndërrojnë emrin dhe identitetin dhe do të pretendojnë se je diçka tjetër nga ajo që deklarohesh. Do të të fusin në robëri dhe do të thonë se të kanë shpëtuar…”, shkruante qytetari në një postim ironik, duke aluduar në kontestin me Bullgarinë për identitetin maqedonas.

Gjatë gjithë ditës, tema “ujk apo qen” dominoi diskutimet online. Shumë qytetarë pohonin se bëhet fjalë për racën e njohur “Qeni Ujk Çek” (Czechoslovakian Wolfdog), një racë që ekziston prej vitesh edhe në Maqedoni. Disa kujtuan edhe rastin e famshëm nga një garë olimpike dimërore, ku një qen i ngjashëm kishte hyrë në pistë pranë skijuesve dhe ishte bërë atraksion për fotografët, ndryshe nga rasti në Shkup ku kafsha u lidh dhe u qetësua me anë të sedativëve.

Komentet kritike ndaj institucioneve nuk munguan:

“Nuk dallojnë qenin nga ujku! Mësoni fillimisht racat e kafshëve para se të publikoni informacione. Nëse është i çipuar dhe ka ikur, kthejani pronarit”, shkruanin qytetarët në rrjetet sociale.

Rasti ka hapur debat më të gjerë mbi profesionalizmin institucional, komunikimin me publikun dhe trajtimin e kafshëve në situata të tilla.