Ukraina ka deklaruar se ka sulmuar me dronë një cisternë ruse në Detin Mesdhe, rreth 2 mijë kilometra larg kufijve të saj, duke shënuar sulmin e parë të këtij lloji në këtë zonë që nga nisja e pushtimit të plotë rus, gati katër vjet më parë.
Sulmi ka ndodhur këtë të premte, 19 dhjetor, pranë brigjeve të Libisë dhe sipas burimeve ukrainase, i ka shkaktuar dëme kritike anijes. Ai u krye në të njëjtën ditë kur presidenti rus Vladimir Putin mbajti konferencën e tij vjetore për shtyp, ku paralajmëroi se Moska do t’u përgjigjet sulmeve ndaj tankerëve të flotës hije.
“Flota hije” është një term që përdoret për të përshkruar anijet që Rusia, së bashku me vende të tjera si Irani dhe Venezuela, përdor për të shmangur sanksionet perëndimore dhe për të vazhduar eksportet e naftës përmes praktikave mashtruese.
Kievi ka goditur edhe më herët tankerë të tillë në Detin e Zi, në përpjekje për të ndërprerë burime të rëndësishme financiare që, sipas Ukrainës, shërbejnë për të mbështetur luftën e Moskës.
Sipas vlerësimeve, flota hije përbëhet nga mbi 1 mijë anije, të cilat ndryshojnë shpesh flamurin dhe kanë pronësi të paqartë, duke i mundësuar Rusisë të ruajë të ardhurat nga eksporti i naftës, pavarësisht kufizimeve ndërkombëtare.
Ekspertë dhe disa liderë evropianë kanë ngritur shqetësime se disa prej këtyre anijeve mund të përdoren edhe për veprime të ashtuquajtura të luftës hibride.
Duke reaguar ndaj zhvillimeve, Putin deklaroi se Rusia do të “përgjigjet patjetër” ndaj sulmeve ukrainase, duke shtuar se këto veprime “nuk do të ndërpresin furnizimet, por do të krijojnë kërcënime shtesë”. Ai nuk e komentoi drejtpërdrejt sulmin në Mesdhe.
Një burim nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) e përshkroi operacionin si “të ri dhe të paprecedentë”, pa dhënë detaje mbi mënyrën se si u përdorën dronët apo nga u nisën ata. Sipas tij, anija ishte bosh në momentin e sulmit dhe nuk pati rrezik mjedisor.
Tankeri, i identifikuar si Qendil, ka pësuar dëme të rënda dhe nuk mund të përdoret më për qëllimin e tij, thanë burimet ukrainase, duke e cilësuar atë si një objektiv legjitim, pasi dyshohet se përdorej për të anashkaluar sanksionet dhe për të financuar luftën e Rusisë. Sipas të dhënave të Vessel Finder, anija ishte ankoruar për herë të fundit në portin e Suezit në Egjipt më 16 dhjetor dhe ndodhej pranë brigjeve të Libisë në momentin e incidentit.
Sulmet vijnë në një kohë kur disa vende perëndimore po rrisin presionin ndaj aktiviteteve të flotës hije. Së fundmi, forcat amerikane kanë hipur në një tanker të sanksionuar pranë Venezuelës, ndërsa vendet evropiane kanë forcuar masat kundër anijeve të tilla për shkak të rrezikut për sigurinë dhe mjedisin.
Gjatë konferencës për shtyp, Putin riafirmoi qëndrimin e ashpër të Kremlinit ndaj luftës në Ukrainë, duke deklaruar se Rusia do të vazhdojë luftimet deri në përmbushjen e kushteve të saj. Ai mohoi se Moska ka plane për të pushtuar Evropën dhe e quajti “grabitje” përdorimin e aseteve të ngrira ruse për rindërtimin e Ukrainës.
