Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Ndryshimet e shpeshta të temperaturave gjatë kësaj periudhe kanë ndikuar në rritjen e numrit të kontrolleve mjekësore. Mjekja Safjane Bellçishta bën të ditur se ditët e fundit realizohen rreth 50 kontrolle ambulantore brenda një dite. Sipas saj, më të prekurit janë pacientët me sëmundje kardiovaskulare, ata me probleme të mushkërive, si dhe personat që vuajnë nga alergjitë. Ajo thekson gjithashtu se këto luhatje klimatike kanë ndikuar edhe në gjendjen psikologjike të pacientëve. Për këtë arsye, në disa raste është e nevojshme edhe konsultimi me psikiatër, si pjesë e trajtimit të përgjithshëm të pacientëve.
“Në prekjen e sistemit kardiovaskular ndryshimet janë që ju rritet tensioni dhe jemi të detyruar t’ua ndërrojmë terapinë, t’ua rrisim dozën për hipertensionin.. tek personat që kanë sëmundje në organet e poshtme që janë astma, ose hob që kanë, ose sëmundjet kronike tek ata japim terapi tjetër dhe e rrisim dozën e terapisë për frymëmarrje që i përdorin në formë të pompave pacientët. Si dhe tek pacientët që kanë alergji pranverore…tek ata japim antikongestivë pasi kanë rrjedhje të hundës, teshtije… si dhe paraqiten shumë sëmundje infektive në kohën e pranverës tani”, deklaroi Safjane Bellçishta, mjeke amë.
Nga sëmundjet dhe infeksionet e lartpërmendura nuk është e përjashtuar asnjë kategori e qytetarëve, megjithatë më të prekurit mbeten fëmijët e vegjël, për shkak të sistemit më të ndjeshëm imunitar.
“Këtu janë të përfshirë të gjitha kategoritë, por më të prekur janë fëmijët tek ata paraqitet në formë të alergjisë. Tek disa fëmijë që kanë sëmundje kronike tek ata përkeqësohet situata dhe duhet të parandalohet ajo situatë. Tek fëmijët shkollor mund të përcillet infeksioni ose bakteria. Alergjia është personale tek dikush është momentale tek dikush është kronike”, theksoi Safjane Bellçishta, mjeke amë.
Mjekët bëjnë apel për kujdes të shtuar, sidomos gjatë periudhave me ndryshime të shpeshta të temperaturave. Ata rekomandojnë që qytetarët të vishen në mënyrë të përshtatshme, të shmangin ekspozimin e panevojshëm ndaj të ftohtit dhe të forcojnë imunitetin përmes ushqimit të shëndetshëm dhe aktivitetit fizik./Alsat.mk.
The post Ulja dhe ngritja drastike e temperaturave shton kontrollet te mjekët appeared first on Alsat.
