Unionet e studentëve nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore kanë intensifikuar thirrjet për mbështetje ndaj protestës së paralajmëruar më 6 prill në ora 12:30 në Shkup.
Përmes një komunikate publike, ata u janë drejtuar mediave, shoqërisë civile dhe aktivistëve, duke kërkuar përfshirje dhe mbështetje për kauzën e tyre.
Studentët theksojnë se po përballen me padrejtësi të vazhdueshme, pasi nuk u mundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, edhe pse kjo e drejtë është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj. Ata bëjnë të ditur se protesta do të nisë me marsh nga Ura e Gurit në Shkup.
Kjo çështje ka marrë vëmendje të shtuar kohët e fundit, pasi 385 studentë shqiptarë nga tre universitetet përkatëse kanë nënshkruar peticion, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me të drejtat e tyre ligjore.
