Gazetare: Melihate Rustemi
Debatet publike për Propozim ligjin për Arsimin e Lartë, kanë vazhduar me diskutime të detajuara mes përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe stafit akademik të Universitetit “Nënë Tereza”. Aleksandar Petkovski theksoi nevojën për shtyrje të procesit të miratimit, me qëllim që të adresohen të gjitha komentet e paraqitura.
“Kërkesa jonë është nëse mund të lëmë pak më shumë kohë për ta finalizuar, për t’i adresuar këto çështje në ligjin që kemi si komente në mënyrë që realisht të kemi një dokument që do të jetë i vlefshëm për sa më gjatë të jetë e mundur”, tha Aleksandar Petkovski, Profesor në UNT.
Profesorët theksuan se komuniteti akademik nuk ka qenë i përgatitur për një ligj tërësisht të ri me kritere më të larta dhe se ndryshimet e vazhdueshme krijojnë pasiguri.
“Unë jam punësuar me një ligj që ishte në fuqi në atë kohë, pastaj papritur u ndryshua në vitin 2018. Tani, si profesor, më duhet të ndryshoj sërish rolin, rregullat dhe mënyrën e lojës. Dhe tani ligji do të ndryshojë përsëri për thirrjen time të ardhshme”, u shpreh Argëtim Saliu, profesor.
“Buxheti për këto publikime është i limituar nga ana e Ministrisë ose siç thonë: kush vjen i pari shërbehet, të tjerët nuk munden”, deklaroi Rilind Ademi, profesor.
Vesna Janevska, deklaroi se Ministria mbulon shpenzimet për publikime në revista me faktor impakti.
“Mund të shihni se ka revista ku mund të publikohen punimet shkencore, një pjesë e tyre pa pagesë dhe një pjesë tjetër me pagesë por që të gjitha i paguan Ministria e Arsimit sepse ka konkurse. MASH mbulon shpenzimet për publikime shkencore në revistat me impakt faktor”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Debati pritet të vazhdojë edhe në universitete të tjera. /Alsat.mk
The post Universiteti Nënë Tereza, me një sërë vërejtjesh për propozim ligjin e Arsimit të lartë appeared first on Alsat.
