Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka pranuar se sistemi i ri digjital i kontrollit të kufijve të BE-së (EES) po përballet me probleme teknike.
“Po punojmë me shtetet anëtare për të zgjidhur problemet teknike”, deklaroi von der Leyen në një konferencë për shtyp në Cork të Irlandës.
Sipas aeroporteve dhe kompanive ajrore, sistemi, i cili kërkon që udhëtarët nga vendet jashtë BE-së të regjistrojnë të dhëna biometrike, po shkakton radhë disaorëshe, pengesa operacionale dhe humbje të fluturimeve lidhëse.
“Ka ende shumë punë që këto çështje teknike të zgjidhen së bashku me shtetet anëtare”, shtoi ajo.
Deklaratat e von der Leyen përfaqësojnë një ndryshim në qëndrimin e Komisionit Evropian, i cili më parë e kishte minimizuar ndikimin e EES.
“Në shumicën e aeroporteve në BE, ndikimi është vërtet i kufizuar”, kishte deklaruar më herët zëdhënësi i Komisionit për punët e brendshme, Markus Lamert.
Megjithëse Komisioni Evropian më parë kishte vlerësuar se ndikimi i EES është i kufizuar dhe se regjistrimi zgjat rreth 70 sekonda, industria e aviacionit paralajmëron se pritjet në pikat kufitare po arrijnë deri në pesë orë në periudhat e ngarkesës më të madhe.
Në një letër të hapur, organizatat ACI Europe, IATA dhe Airlines for Europe thonë: “Koha e pritjes në kontrollin kufitar është rritur ndjeshëm, duke arritur deri në pesë orë në periudhat e trafikut të lartë”. Këto organizata kanë kërkuar që Komisioni Evropian t’u mundësojë shteteve që, “nëse është e nevojshme, ta pezullojnë plotësisht EES, të paktën gjatë korrikut dhe gushtit”.
Sistemi, i detyrueshëm nga 10 prilli, kërkon që udhëtarët nga vendet jashtë BE-së, përfshirë Britaninë e Madhe dhe SHBA-në, gjatë hyrjes së parë afatshkurtër në BE të regjistrojnë gjurmët e gishtërinjve dhe fotografinë e fytyrës. Edhe pse janë parashikuar kioska dhe aplikacione për regjistrim më të shpejtë, në shumë pika kufitare, si aeroporti Fiumicino në Romë, të dhënat ende futen manualisht, ndërsa vetëm Suedia dhe Portugalia i kanë aktivizuar aplikacionet e nevojshme.
