Më parë, kanceri shihej si pjesë e plakjes dhe prekte kryesisht personat mbi 60–70 vjeç. Por ani se shumica e diagnozave të reja janë ende tek personat mbi 70 vjeç, disa kancere po shfaqen gjithnjë e më shpesh tek të rinjtë, ka shkruar The Guardian.
Një shembull i qartë është kanceri i zorrës së trashë, ndërsa numri i rasteve ka rënë te mbi 60-vjeçarët, të dhënat tregojnë rritje të fortë në shumë vende të zhvilluara tek personat nën 50 vjeç, fenomen i njohur si “early-onset disease” (sëmundje me shfaqje të hershme).
Kjo rritje nuk lidhet vetëm me kontrollin më të gjerë apo diagnozë më të saktë, dhe nuk ndodh vetëm në një vend apo komunitet. Ajo është realisht globale, duke shkuar nga rreth 94,700 raste më 1990 në 225,736 raste në vitin 2019.
Një studim në Evropë ka treguar se tek personat 20–29 vjeç incidenca u rrit 7.9 për qind në vit midis viteve 2004 dhe 2016, tek 30–39-vjeçarët u rrit 4.9 për qind, dhe tek 40–49-vjeçarët u rrit 1.6 për qind në të njëjtën periudhë.
Rritja më e madhe është tek grupi më i ri. Modelet sugjerojnë se kanceri i zorrës së trashë apo kolorektal me shfaqje të hershme mund të dyfishohet çdo 15 vjet në Australi, Kanada, Britani dhe SHBA.
Në Britani, programi i kontrolleve të kancerit të zorrës së trashë nga institucionet shëndetësore atje, mbulon vetëm personat 50–74 vjeç, duke i lënë të rinjtë jashtë. Ata zakonisht diagnostikohen në faza të avancuara, kur kanceri ka përhapje dhe kanë simptoma.
Çfarë po e shkakton rritjen tek të rinjtë?
Mund të përjashtojmë gjenetikën: rreth 75 për qind e rasteve janë tek persona pa histori familjare apo predispozitë të njohur gjenetike. Studiuesit kanë filluar të shqyrtojnë faktorët mjedisorë që lidhen me rritjen e kancerit që nga vitet 1960, duke vënë re se çdo gjeneratë ka më shumë gjasa të preket nga kanceri se ajo e mëparshmja.
Një faktor i rëndësishëm që ka dalë në pah është ushqimi i shumëpërpunuar. Një rishikim në “Nature Reviews Endocrinology”, 2025, thekson lidhjet mes këtyre ushqimeve dhe rritjes së rasteve me kancer.
Me këtë term kuptohen ushqimet e paketuara në fabrikë, ushqime të gatshme, drithëra me sheqer, pije të gazuara, e lëngje frutash, që vetëm quhen ashtu, sepse përbëhen nga emulgatorët e sheqeri i shtuar, mish i përpunuar dhe ushqime të shpejta (fast food). Këto tashmë përbëjnë më shumë se gjysmën e dietës mesatare në vende si Britania dhe SHBA-ja.
Studime dhe prova
Një studim i madh i publikuar në “British Medical Journal” ka analizuar tre grupe të mëdha në SHBA për të parë lidhjen mes ushqimeve të shumëpërpunuara dhe rrezikut për kancer kolorektal. Njëri prej grupeve përfshinte mbi 46,000 burra, ndjekur për 24–28 vjet.
“Krahasuar me grupin që konsumonte më pak ushqime të përpunuara, ata që konsumonin më shumë kishin 29 për qind më shumë rrezik për kancer kolorektal, duke marrë parasysh edhe dietën e peshën”, thuhet në raportin e studimit.
Studiuesit kanë theksuar se duhen studime të mëtejshme për të kuptuar saktësisht si këto ushqime kontribuojnë në zhvillimin e kancerit.
Çfarë e bën këtë shqetësuese?
Shumë studime lidhin ushqimet e shumëpërpunuara me mbipeshën, faktor rreziku për shumë lloje kanceresh. Por studimi tregon se rritja e rasteve me kancer kolorektal ndodh edhe tek personat me peshë normale. Kjo ngre pyetjen: a mund të jenë ushqimet e shumëpërpunuara kancerogjene pavarësisht nga pesha apo stili i jetesës?
Dieta me shumë ushqime të përpunuara lidhet me:
-Pengesa në sinjalizimin e insulinës
-Inflamacion kronik
-Ndryshime në mikrobiomën e zorrëve
Këto mekanizma lidhen me zhvillimin e kancerit. Emulgatorët, aditivët dhe ëmbëltuesit artificialë, të zakonshëm në ushqime të përpunuara, tregohen në studime tek kafshët që promovojnë inflamacion të organeve të brendshme dhe rritje tumori.
Mungesa e fibrës dhe përbërësve mbrojtës që ndodhen në këto ushqime mund të ndryshojë mikrobiomën e zorrëve, e cila është e nevojshme për funksionimin optimal të trupit.
The post Ushqimet e shumëpërpunuara dhe rritja e rasteve të kancerit të zorrës së trashë te të rinjtë appeared first on Alsat.