Një studim i ri nga Spitali Universitar i Kopenhagës ka treguar se konsumimi i ushqimeve të pasura me kalcium, siç janë avokadot, bananet dhe spinaqi, mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, shtrimit në spital dhe vdekjes me 24 përqind.
Kalciumi rrit sasinë e kripës që trupi nxjerr nga qarkullimi i gjakut dhe një nga autorët e studimit, Henning Bundgaard, theksoi se trupi i njeriut evoluoi me një dietë të pasur me kalcium dhe të ulët në natrium, por sot konsumohet më shumë natrium dhe më pak kalcium.
“Tani po shkojmë drejt një diete moderne që përbëhet nga ushqime të përpunuara, dhe sa më e përpunuar të jetë, aq më shumë natrium shohim në ushqim dhe aq më pak kalcium, që do të thotë se raporti midis tyre ka ndryshuar nga 10:1 në 1:2”, shpjegoi ai.
Bundgard vuri në dukje se kalciumi është thelbësor për funksionin e zemrës dhe se nivelet e ulëta të kalciumit rrisin rrezikun e aritmisë, dështimit të zemrës dhe vdekjes, raporton Guardian.
Studimi përfshinte 1,200 pacientë me probleme të zemrës në Danimarkë me defibrilatorë kardioverterë të implantueshëm (ICD), gjysma e të cilëve morën këshilla dietike për të rritur nivelet e kalciumit.
“Ne kishim një listë ushqimesh që ua jepnim pacientëve. Ne ndiqnim udhëzime të përgjithshme dietike, të njohura si piramida ushqimore. Rrepat, panxhari, lakra dhe të ngjashme janë ushqime të pasura me kalcium. Ne nuk rekomandonim mishin, i cili është gjithashtu i pasur me kalcium, sepse është gjithashtu i pasur me natrium dhe kundërproduktiv ndaj rritjes së kalciumit”, shpjegoi ai.
Rritja e niveleve të kalciumit në gjak përmes dietës shoqërohej me një rrezik dukshëm më të ulët (24 përqind) të sëmundjeve të zemrës, shtrimit në spital për shkak të sëmundjeve të zemrës ose vdekjes nga çdo shkak.
Rezultatet e studimit u prezantuan në kongresin e Shoqërisë Evropiane të Kardiologjisë në Madrid, konferenca më e madhe e kardiologjisë në botë, shton Guardian.
The post Ushqimet që ndihmojnë në uljen e sëmundjeve të zemrës, sipas një studimi të ri appeared first on Alsat.