Vajza e gruas nga Maqedonia e Veriut, e cila u arrestua në Ulqin pasi me automjet shtypi një qen, pretendon se qeni i racës Qeni Sharrit fillimisht kishte sulmuar dhe vrarë qenin e tyre, ndërsa më pas kishte sulmuar edhe anëtarët e familjes.

Në lidhje me: Gruaja nga Maqedonia me veturë vrau brutalisht një qen në Mal të Zi! Tentoi të arratisej, por u kap në kufi

“Në video shihet edhe qeni ynë i vogël i racës Shih Tzu, i cili u vra nga një qen i Sharrit mbi 50 kilogramë, që hyri në apartamentin tonë dhe e copëtoi para syve tanë. Nuk kishim asnjë mënyrë ta mbronim apo ta shpëtonim, sepse bëhej fjalë për një qen shumë agresiv, i cili më pas na sulmoi edhe ne dhe vëllain tim të mitur. Qeni i sharrit u godit vetëm për ta larguar nga unë dhe nga qeni im, i cili ndërroi jetë”, tha vajza në një prononcim për televizionin Sitel.

Ajo shtoi se qeni i sharrit kishte pronar dhe se pas ngjarjes ai, së bashku me një grup miqsh, i kishte kërcënuar para apartamentit. Sipas saj, shtypja e qenit me automjet ishte një përpjekje e nënës së saj për të mbrojtur fëmijët dhe kafshën e tyre shtëpiake.

Prokuroria e Ulqinit njoftoi pasditen e sotme se gruas i është caktuar masa e ndalimit prej 72 orësh dhe se dyshohet për veprën penale “vrasje dhe keqtrajtim të kafshëve dhe shkatërrim të habitatit të tyre”.