Duke marrë parasysh efektin e valës së zgjatur të të nxehtit, Qeveria ka miratuar një paketë rekomandimesh që do të jenë në fuqi nga data 23 deri më 26 korrik 2025. Mes tjerash, në këto masa rekomandohet që të lirohen nga puna gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç.

Sipas njoftimit të Qeverisë, rekomandimet përfshijnë gjithashtu mundësinë për punë në distancë, orar fleksibël ose të ndarë në dy ndërrime, aty ku është e mundur.

Më herët, Ministria e Shëndetësisë informoi se, sipas parashikimeve më të fundit të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), vala e të nxehtit me temperatura mbi 40°C do të vazhdojë deri më 26 korrik 2025.

“Duke pasur parasysh ndikimin e ekspozimit të zgjatur ndaj temperaturave ekstreme mbi shëndetin e kategorive të ndjeshme të popullsisë, Qeveria, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, ka miratuar masa të reja mbrojtëse për punëdhënësit. Ato parashikojnë lirimin nga detyrimet e punës për gratë shtatzëna dhe për personat mbi 60 vjeç. Po ashtu, ku është e mundur, rekomandohet të mundësohet punë në distancë, orar fleksibël ose në dy ndërrime. Këto masa nuk vlejnë për punonjësit e infrastrukturës kritike, si: shëndetësia, policia, ushtria, transporti, energjetika dhe ndërmarrjet publike komunale”, thuhet në komunikatë.

Qeveria gjithashtu kujton zbatimin e masave të mëparshme të përfshira në Planin e Veprimit, si:

  • Shtyrja e procesit të punës nga ora 11:00 deri në 17:00 për punëtorët që janë të ekspozuar ndaj të nxehtit të drejtpërdrejtë;
  • Detyrimi për të siguruar kushte mikroklimatike në ambientet e punës (temperaturë deri në 25°C), përveç rasteve kur natyra e punës nuk e lejon;
  • Informimi i vazhdueshëm i publikut përmes institucioneve përkatëse;
  • Aktivizimi i protokolleve për punë në kushte të jashtëzakonshme në institucionet shëndetësore, në shtëpitë për të moshuar dhe në institucionet arsimore.

Të gjitha institucionet që janë pjesë e Planit të Veprimit janë të thirrura të vazhdojnë me përmbushjen e detyrimeve dhe aktiviteteve të tyre.

Ministria e Shëndetësisë me apel për qytetarët

Ministria e Shëndetësisë u bën apel qytetarëve që të ndjekin rekomandimet për vetëmbrojtje:

  • Qëndroni në ambiente të freskuara, veçanërisht nga ora 11:00 deri në 17:00;
  • Konsumoni mjaftueshëm lëngje, duke shmangur alkoolin dhe pijet e ëmbla;
  • Vishni rroba të lehta dhe me ngjyra të çelëta;
  • Përdorni mbrojtje për kokën dhe sytë;
  • Shmangni aktivitetin fizik gjatë orëve më të nxehta të ditës;
  • Kushtoni vëmendje të veçantë fëmijëve, të moshuarve, personave me sëmundje kronike dhe grave shtatzëna.

Në rast të simptomave si: marramendje, dhimbje koke, të përziera ose rrahje të shpejta të zemrës, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore. Shtyni aktivitetet në ambiente të hapura përtej orëve kritike të ditës dhe siguroni ambiente të freskuara (deri në 25°C) si në vendin e punës, ashtu edhe në shtëpi.