Në katër komuna nuk u arrit censusi, por situata më komplekse është në Gostivar. Në këtë komunë nga korriku i vitit që lamë pas, kemi ushtrues detyre, dhe kjo sipas Valbon Limanit bën që ai të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Limani shton se këtë e thotë edhe vetë ligji.

 “Unë më tetë korrik u zgjodha si ushtrues detyre, si kryetar i komunës së Gostivarit. Në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale, neni 54 dhe pastaj neni 4 i cili thotë se unë duhet ta ushtroj detyrën e kryetarit të komunës deri në zgjedhjen e kryetarit të ri në zgjedhje të rregullta. Ligji aty e thotë se duhet të zgjidhet kryetar i ri, pa mos e potencuar se duhet të jenë zgjedhje të rregullta, të përsëritura apo ndryshe. Në mënyrë taksative është se mandati im është deri në zgjedhjen e kryetarit të ri në zgjedhje të rregullta”, tha Valbon Limani.

Sipas Limanit ata do të ndjekim të gjithë procedurat ligjore nëse qeveria do të mundohet që të shkel ligjin dhe  të drejtën e tyre do ta kërkojnë në gjykatën kushtetuese.

 “Po nëse emërojnë atë vendim të qeverisë do ta ankimojmë, dhe do të kërkojmë nga gjykata kushtetuese, do të kërkojmë se a ka kushtetutshmëri edhe a është konform ligjit ai vendim i Qeverisë. Besoj se e drejta është në anën tonë edhe gjithashtu të gjithë ekspert juridik por edhe sektori juridik dhe ish gjykatës që i kemi konsultuar rreth  kësaj çështje thonë se në rastin e Gostivarit situata është shumë e pastër edhe e qartë. Sipas ligjit duhet ta ushtroj këtë detyre deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”, deklaroi Limani.

Kryeministri Mickovski thotë se do të veprojnë në pajtim me ligjin dhe se për momentin po presin të marrin njoftim nga KSHZ.

“Absolutisht që do ta bëjmë këtë në pajtim me ligjin, por që ta bëjmë këtë, së pari duhet të marrim një njoftim nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve se zgjedhjet kanë përfunduar dhe se në ato katër komuna zgjedhjet janë të pasuksesshme. Pastaj Qeveria do të bëjë emërimin”, tha Hristijan Mickoski.

Ka shumë gjasa që gjatë kësaj jave kryeministri Mickoski të zhvillojë takim me partnerët qeveritarë për t’u marrë vesh për caktimin e të deleguarve të Qeverisë në 4 komunat ku nuk u zgjodh kryetar komune për shkak se nuk u arrit pragu prej të paktën 33,33% në raundin e parë.

Ndryshe, në Gostivar, Arben Taravari ishte ai që u zgjidh kryetar komuna me votat e qytetarëve, por më pas ai u emërua ministër dhe vendin e tij si UD e mori Valbon Limani. Në zgjedhjet lokale të 19 tetorit Valbon Limani për 21 vota nuk mundi mbërrijë censusin, ndonëse mori më së shumti vota.