Valbon Limani prezanton projektet strategjike për zhvillimin e Gostivarit

Kandidati i AKI-së për komunën e Gostivarit, Valbon Limani, prezantoi projektet të cilat i cilëson si kyçe dhe strategjike për zhvillimin e qytetit. Limani theksoi se qasja ndaj zhvillimit është e planifikuar, e barabartë dhe gjithëpërfshirëse, duke garantuar përfshirjen e çdo lagjeje dhe fshati në procesin e transformimit të qytetit. Ai nënvizoi se një nga projektet më të rëndësishme që pritet të fillojë në pranverë është ndërtimi i urës së re mbi lumin “Vardar”.

“Një nga projektet më të rëndësishme është ndërtimi i urës së re mbi lumin Vardar, e quajtur “Ura e Harmonisë”. Të gjitha procedurat administrative dhe ligjore për këtë projekt janë kah fundi, dhe në pranverë do të fillojnë punimet. Ura do të ketë katër korsi për automjete, shtigje për biçikleta dhe trotuare të sigurta për këmbësorë. Ajo do të lidhë lagjet e qytetit, do të lehtësojë komunikacionin dhe do të japë një shtysë reale zhvillimit ekonomik të Gostivarit”, deklaroi Valbon Limani, Kandidat i AKI-së. /Alsat.mk