Në një seri grabitjesh që po duken më shumë se sa rastësi, hajdutët sulmuan sërish në Francë! Këtë herë, siç raportojnë mediat e huaja, në muzeun kushtuar filozofit francez Denis Diderot, në Landres.
Rreth 2 mijë monedha ari dhe argjendi u vodhën vetëm pak orë pas grabitjes së guximshme te Muzeu i Luvrit, më 19 tetor, ku tetë bizhuteri mbretërore u zhdukën nga Galeria d’Apollon.
Hetuesit po shqyrtojnë grabitje të tjera muzeale të muajve të fundit, përfshirë sulmet në Muzeun Jacques Chirac në Sarran, Muzeun Kombëtar Adrien Dubouché në Limoges dhe Muzeun e Historisë Natyrore në Paris. Ende nuk dihet nëse grabitjet lidhen me njëra-tjetrën.
Në Muzeun e Luvrit, katër persona me maska përdorën një shkallë mekanike për të arritur një dritare në katin e dytë të godinës, më pas thyen vitrinën dhe u arratisën me skuterë. Banda vodhi tetë bizhuteri që datonin që nga koha e Napolonit, me vlerë rreth 102 milionë dollarë, duke përfshirë një varëse dhe një kurorë që dikur i përkisnin familjes perandorake.
Ekspertët thonë se “suksesi” i grabitësve mund të jetë afatshkurtër.
“Arti i vërtetë në vjedhjen e artit është shitja, jo vjedhja”, ka thënë njëri prej tyre. Ai ka theksuar se hajdutët “nuk ishin specialistë“, sepse shfrytëzuan sistemet e vjetëruara të sigurisë.
Sipas ekspertëve, nuk është domosdoshmërisht e vështirë të hysh në institucione historike si Luvri, sepse fokusi nuk ka qenë te mbrojtja e godinës.
Edhe muzeu kushtuar filozofit francez, ndodhet në një vilë të vjetër që daton që prej shekullit të 16-të.
The post Valë grabitjesh në muzetë e Francës/ Pas Luvrit, sulmohet edhe muzeu i Denis Diderot appeared first on Alsat.