Shqipëria ka shpëtuar në minutat e fundit ndaj San Marinos, duke triumfuar 2-1 në Tiranë falë një penalltie të shndërruar në gol nga Kristjan Asllani në minutën e 93-të.

Kuqezinjtë e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e 11-të. Asllani provoi nga distanca me një goditje të fuqishme, duke mposhtur portierin e San Marinos.

Shqipëria pati mundësi të shumta për të dyfishuar rezultatin, por nuk arriti të konkretizonte rastet. Manaj goditi edhe shtyllën, ndërsa Hoxha, Mehmeti dhe Uzuni nuk gjetën rrjetën.

San Marino, megjithatë, nuk u dorëzua dhe në minutën e 66-të gjeti barazimin. Lazzari u gjend i lirë në zonë pas një krosimi dhe me një goditje të saktë mposhti Dajsinanin për 1-1.

Në minutat e mbetura, Shqipëria u hodh në sulm në kërkim të golit të fitores, por kuqezinjtë hasën vështirësi përballë mbrojtjes së San Marinos.

Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi turpërues, ndërhyri VAR-i. Pas rishikimit të një episodi në zonë, Shqipërisë iu akordua një penallti në minutat shtesë.

Kristjan Asllani mori përsipër ekzekutimin dhe në minutën e 93-të dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë Shqipërisë fitoren 2-1.

Një triumf i vuajtur dhe shumë larg pritshmërive për kuqezinjtë, të cilët rrezikuan seriozisht të linin pikë përballë San Marinos në Tiranë, ndërsa kuqezinjtë festojnë vendin e parë në Grupin C1.