Vazhdojnë protestat për rastin me Frosinën! Revoltë ndaj sistemit të drejtësisë dhe mungesës së sigurisë në Shkup

Protestat kanë për qëllim të adresojnë tre probleme kyçe.

INICIATIVA QYTETARE “KUSH ËSHTË I RADHËS”:

1.Mosfunksioni i sistemit për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve që janë në konflikt me ligjin

2.Siguria e pamjaftueshme në qytetet

3.Glorifikimi i sjelljes devijuese

Motra e Frosinës sot në protestën që u mbajt në Kavadar kërkoi përgjegjësi edhe nga babai i shoferit Vasil por edhe nga gjykatësja Daniella Aleksovska Stojanovska. Ajo tha se shoqëria është pasqyra e vlerave të atyre që e udhëheqin shoqërinë ndërsa fëmijët janë pasqyra e prindërve të tyre.

“Nuk mund të pritet udhëheqje e ndershme dhe përgjegjëse nga njerëz që nuk kanë arritur t’i vendosin vlerat themelore morale dhe shoqërore as në shtëpinë e tyre. Ndarja e funksioneve shtetërore nuk guxon të bëhet në bazë të kritereve formale të arsimit”, tha Fosica Kullakova, motra e Frosinës.

Revolti i qytetarëve u rrit edhe më shumë pasi në rrjetet sociale dolën fotografi nga 20 vjeçari në burg me celular. Jozyrtarisht, e ka marrë jashtë burgut, në kuti me ëmbëlsira.

“Fatkeqësisht një person tërësisht i pandërgjegjshëm, pa ndjenjë për situata të këtilla, i punësuar në burgun hetues në Shkup, i ka dhënë telefon vrasësit të vajzës”, Aleksandar Pandov, drejtori për zbatimin e sanksioneve.

Në burg janë bërë bastisje dhe janë konfiskuar disa telefona. Prokuroria kompetente thotë se i ndjekin informacionet.

“Pas marrjes së identitetit të personave të përfshira do të veprojmë në kuadër të kompetencave tona pas çka do ta njoftojmë opinionin”, thonë nga Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit .

Vozitësi i cili e shkaktoi aksidentin tragjik ku jetën e humbi Frosina, vitin e kaluar i ishte shqiptuar dënim për drogë, pas çka gjykata ka vendosur që në vend në burg, ta çojë në Shtëpinë ndëshkimore-përmirësuese në Tetovë. Prokuroria ka kërkuar burg dhe ka dorëzuar ankesë, por Gjykata e Apelit ende nuk ka sjellë vendim. Gjatë kësaj periudhe “vakum” shoferi ishte në liri dhe e bëri këtë aksident me pasoja fatale.