Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), sasia më e madhe e reshjeve në 24 orët e fundit është regjistruar në Mavrovë – 18 litra për metër katror. Pasojnë Gjevgjelia me 17 litra, Pozharanja dhe Kodra e Diellit me nga 16, Berova 15 dhe Tetova 14 litra.
Në Lazaropole kanë rënë 10 litra për metër katror, në Strumicë nëntë, ndërsa në Kumanovë dhe Krushevë nga pesë litra. Katër litra janë regjistruar në Shkup–Petrovec dhe Pretor, dy litra në Manastir dhe Pozhar, ndërsa nga një litër në Shkup–Zajçev Rid, Vinicë, Kavadar, Veles, Kriva Pallankë, Gjurishtë dhe Topolçan.
Temperatura minimale e mëngjesit ka lëvizur nga 4 deri në 14 gradë Celsius.
DPHM edhe për sot paralajmëron mot me vranësira të ndryshueshme dhe reshje lokale shiu. Në disa zona reshjet mund të jenë më të dendura (mbi 30 litra për metër katror brenda 24 orëve), me kushte për stuhi, vetëtima dhe erë të fortë. Gjatë ditës do të fryjë erë mesatare, herë pas here e fortë, nga drejtimi jugor. Temperatura maksimale pritet të jetë nga 13 deri në 19 gradë.
Në Shkup moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe reshje të herëpashershme shiu. Do të fryjë erë jugore, mesatare deri e fortë. Temperatura maksimale do të arrijë deri në 18 gradë.
